Gjithçka nisi pas atij kontakti me makinën e Lens Stroll në Portimao, gjatë sesionit të dytë të provave ditën e premte, ku manovra e pilotit të Racing Point mund të ketë qenë e diskutueshme. Maks Vershtapen po bënte një simulim, ndërsa Stroll nuk e ngadalësoi shpejtësinë dhe piloti holandez reagoi. “What a mongol” (çfarë mongoli) – ulëriti ai në radio, përveç disa fjalëve që nuk është rasti për t’i thënë.

Dhe menjëherë ka ardhur një reagim i ashpër nga “Mongol Identity”, që i ka dërguar një letër të hapur Vershtapenit, të cilit i kërkoi që të kërkojë ndjesë publike. “Mongol Identity” është një shoqatë bamirësie me seli në Skoci, u drejtuar nga Ugana Ramsei. Në komunikatën e saj shkruhet: “Duam të shprehim kundërshtimin tonë dhe në të njëjtën kohë shqetësimin tonë, teksa shohim përdorimin e termit “mongol” në sens negativ. Jemi edhe më të shokuar për faktin se Formula 1 nuk mori asnjë masë, ndaj dhe u drejtohemi edhe drejtuesve të këtij kompeticioni.

Momenti kur makina e Vershtapen pati kontakt me atë të Stroll. Gazeta Si, 28 tetor 2020

Nga viti 1965, Organizata Botërore e Shëndetit ka saktësuar qartë se termi ‘mongoloid’ nuk mund të përdorej për ata që vuajnë nga sindroma “down”, sepse është fyese për ata që kanë kombësi mongole. Vershtapen duhet të kërkojë ndjesë publike dhe më shumë sensibilitet ndaj personave që vuajnë. Kërkojmë me mirësjellje që termi ‘mongol’ të përdoret në mënyrë korrekte, duke respektuar origjinalitetin dhe autenticitetin”.

Kur iu tha se çfarë mendonte për faktin se mesazhi ishte bërë publik dhe se dikush mund të ndihej i ofenduar, Vershtapen u përgjigj: “Nuk është problemi im”. Një pohim që ka irrituar Unro Janchiv, përgjegjës i kulturës në Ministrinë e Jashtme të Mongolisë, që në Tuiter shkroi: “S’është problemi i tij? Po Red Bull-i a i ka thënë se skuadra mbështet #WeRaceAsOne?” Edhe kjo duhet shtuar, sepse ndodh në vitin, kur më shumë se kurrë Formula 1 është impenjuar kundër racizmit, me fushatën e udhëhequr nga Ljuis Hemilton.

Maks Vershtapen, piloti holandez i Formula 1. Gazeta Si, 28 tetor 2020

Vershtapen ka veshur fanellën në mbështetje të kësaj iniciative, edhe pse gjithmonë ka refuzuar të ulet në gjunjë, siç kanë bërë edhe Leklerk, Raikonen, Xhovinaci, Kviat dhe Sainz. “Jam shumë i impenjuar për barazinë dhe luftën kundër racizmit, – kishte shkruar holandezi në ditët më intensive të fushatës, – por besoj se të gjithë kanë të drejtën të shprehen në momentin dhe mënyrën që ata mendojnë”.

Më i ashpër ndaj Vershtapenit është treguar këshilltari i Red Bull-it, Helmut Marko, i cili ka theksuar: “I kam thënë Vershtapenit se episode të kësaj natyre nuk duhet të ndodhin më në të ardhmen. Ka gabuar në gjithçka”.