Problemet me sundimin e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor janë pengesa kryesore në rrugën drejt integrimit. Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale në Gjermani, Susanne Schütz, thotë se rajoni është në krye të agjendës së Presidencës së Berlinit të Këshillit Europian, por gjithçka varet prej reformave që do të kryhen dhe zbatimit te tyre.

“Ne synojmë të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse plotësohen kushtet, gjithashtu edhe me Shqipërinë gjatë presidencës sonë të Këshillit,” – shprehet Schütz.

Ndërsa për fqinjin tonë situata duket më optimiste, Berlini i ka bërë të qarta detyrat për Shqipërinë, ndaj dhe ende nuk është përcaktuar një datë për konferencën e parë ndërqeveritare

“Reformat në sistemin e drejtësisë si dhe reforma në ligjin zgjedhor janë identifikuar si përparësi. Procesi i vetingut është i gjatë dhe i ndërlikuar, dhe ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit, por nuk ka alternativë tjetër”, – shton më tej ajo.

Problemet në lirinë e medias janë gjithashtu një aspekt i rëndësishëm në rrugën drejt BE, dhe Schütz thotë se “Projektligji i ri për median në Shqipëri nuk pasqyron ende standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Në intervistën për BIRN, ish-ambasadorja në vendin tonë ndalet edhe te emigrimi i qytetarëve të vendeve të Ballkanit. Ajo thotë se problemet në sundimin e ligjit, emërimet pa meritokraci, korrupsioni, kushtet e vështira ekonomike janë disa nga arsyet. Për të zbutur këto efekte negative do të zhvillohet një konferencë me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës gjermane ka thënë Schütz.

Gjermania pret një marrëveshje Kosovë-Serbi që ti hapë rrugë bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës evropiane, por vija e kuqe është e qartë: “Ne nuk besojmë se kufij të rinj ose shkëmbimet territoriale do të kontribuojnë në një zgjidhje të qëndrueshme”.