DRITËSHKRONJË

Nikollë Rrok Spiridon Idromeno (15 gusht 1860-12 dhjetor 1939) donte që fotografia të quhej shqip “dritëshkronjë”. Më 1883 ai hapi në Shkodër një studio fotografie. Ai mund t’i vinte emrin studios së tij “Fotografi” sipas italishtes apo sipas frëngjishtes, meqenëse edhe kamerat i kishte importuar nga kompania franceze Pathé. Ishin fillimet e fotografisë shqiptare dhe emri i artit të ri nuk ishte ngulitur akoma tek publiku shqiptar. Prandaj 23-vjeçari i talentuar Kolë Idromeno donte të përdorte një fjalë që të ishte e kuptueshme për shqiptarët. Ai i vuri studios së vet emërtimin “Dritëshkronja Idromeno” një kalk i ndërtuar mbi fjalën “fotografi” φως gjin. φώτος gr. “dritë” dhe γραφή “shkrim” ose “shkronjë” si emër veprimi.
Kjo fjalë e bukur e Kolë Idromenos nuk u lumturua të gjente një vend në fjalorin e shqipes. Në vend të saj u përdor ndërkombëtarizmi “fotografi”. Ky kalk pati të njëjtin fat me disa kalke të tjera të rilindësve shqiptarë, të cilët propozuan kalke me përbërës shqip për disiplina të ndryshme shkencore (gjithëmësime, dheshkronjë, dhematje etj.).
Këto mendime më lindën sot në ditën e fotografisë disa ditë pas 163-vjetorit të lindjes së poliedrikut shkodran Nikollë / Kolë Idromenos.

Nga Aristotel SPIRO