Tre të rinj kanë shpëtuar mrekullisht pak pas mesnatës në lagjen “Rus” në Shkodër.

Teksa ndodheshin në rrugë duke biseduar, i moshuari, shtetasi Fasli Hyka ka dalë i armatosur në balkonin e katit të pestë të banesës së tij në orën 00:30 dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.

Plumbat fatmirësisht nuk plagosën asnjërin prej tre të rinjve ndërsa u dëmtua një automjet i parkuar.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën nga ballkoni i shtëpisë së 83 vjeçarit pasi më parë i hodhën një zhurmuese dhe më pas edhe nga dera e shtëpisë duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.

I moshuari para se të qëllonte mësohet se ka telefonuar policinë duke i kërkuar ndihmë, pasi sipas tij jashtë kishte zhurma që po e shqetësonin. Pas pak minutash mori çiften dhe qëlloi në drejtim të të rinjve, kalimtarë të rastit që arritën të shpëtojnë.