Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në Asamblenë e Këshillit të Europës kundër raportit të Dick Marty-t e miratuar nga KiE në Janar të vitit 2011. Kreu i qeverisë tha se ky raport është lajmi më i tmerrshëm i rremë. Rama u shpreh se pretendimet në raport janë të pavërtetuara. Sipas Ramës, mocioni në Asamblenë e Këshillit të Europës u ngrit nga një deputet i partisë së Vladimir Putin.

“Ajo çfarë ka rëndësi këtu është që raporti përmendte me emër drejtues të lartë të UÇK-së dhe i akuzonte për kryerjen e krimeve të tmerrshme përfshi trafikimin e organeve gjatë dhe pas luftës, në 1998 – 1999. Ndërkohë që raporti nuk prodhoi as atëherë e as në kohët më pas, meqë ra fjala, që ta dini, delegacioni shqiptar këtu i pranishëm atëherë, nuk e pengoi këtë dhe megjithëse nuk pati asnjë provë, nga ato që autorët pretenduan se kishin përftuar gjatë hetimit, u miratua në tërësi dhe fjalë për fjalë në një rezolutë të kësaj asambleje në Janar të 2011. Jam këtu sot në 2022 dhe ka një arsye për këtë. Jo sepse unë dhe ne në Shqipëri e zbuluam sot që ky ishte lajmi më i tmerrshëm i rremë i shpërndarë përmes vetë duarve të nderuara të KiE, por sepse pritëm me durim derisa pamë akuzën zyrtare së cilës do i kthehem më vonë. Shpresoj të kuptoni seriozitetin e të gjithë kësaj. Më lini ta përsëris. Pretendime tërësisht të pavërtetura të një ish-prokuroreje të përgjithshme në kërkim të shitjeve të mëdha të librave të saj. E dimë se çfarë ndodh me njerëzit që largohen nga detyra dhe hartojnë kujtimet e tyre, çoi në një mocion, i paraqitur nga një parlamentar i “Rusia e bashkuar” që u shndërrua në një raport të KiE, mbështetur në burime tejet të dyshimta që më pas u shndërruan në një rezolutë të kësaj asambleje parlamentare dhe që çoi pastaj në krijimin e dhomave të Specializuara të Kosovës për të gjykuara personat e akuzuar për trafikim të organeve njerëzore ndërkohë që luftonin luftën e tyre për liri”, tha Rama.

Më tej, Rama i quajti “fantazi të mirëfabrikuara” në Kremlin akuzat e ngritura në drejtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafik organesh. Rama tha se akuzat e ngritura fillimisht nga prokurorja Carla del Ponte që sollën më pas raportin e Dick Martyt dhe rezolutën e miratuar në këtë këshill, shkaktuan një padrejtësi të madhe ndaj liderëve të UÇK-së.

“Një fantazi e pastër e mirëfabrikuar në Kremlin dhe në mënyrë shumë, shumë inteligjente e kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare dhe e sjellë këtu në tempullin e të drejtave të njeriut. Një lajm i rremë mizor arriti të shndërrohej në një raport, që u shndërrua në një rezolutë, që minoi të vërtetën dhe drejtësinë. Veprimet tuaja një dekadë më parë kanë shkaktuar një prej dështimeve më monumentale të politikës ndërkombëtare, një shtrembërim i shëmtuar i të drejtave të njeriut”, tha Rama në fjalën e tij.

Rama paralajmëroi të pranishmit se Volodymyr Zelensky mund të jetë pas 10 vitesh në pozicionin e Hashim Thaçit. Sipas tij, që tani, Rusia ka nisur të fabrikojë akuza për krime lufte në Donbas nga Ukraina.

Sakaq, Rama i ka bërë thirrje Këshillit të Europës që të rrëzojë akuzat kundër Kosovës dhe të pranojë kërkesën e Shqipërisë.

Kreu i qeverisë tha se kjo nuk është as për hir të Kosovës, dhe as për hir të Shqipërisë, por për nderin dhe besueshmërinë e KiE.

“Ju bëj thirrje që të rrëzoni akuzat kundër Kosovës. Ju bëj thirrje që të pranoni kërkesën e Shqipërisë për miratimin e një rezolute që kërkon një raport devijues lidhur me akuzat e paprovuara të turpshme të trafikimit të organeve nga anëtarët e ushtrisë heroike çlirimtare të Kosovës, krim që nuk është kryer dhe kurrë nuk duhej t’i ishte atribuar. Kjo nuk është as për hir të Kosovës, e as për hir të Shqipërisë. Është për nderin tuaj, për besueshmërinë tuaj”, u shpreh Rama.