Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sot do të vaksinohet kundër COVID-19 për të dhënë mesazhin se gjithçka është e sigurt. Rama u shpreh se ai do të jetë një ndër të parët që do të vaksinohet, pasi vaksina është arma kundër virusit dhe shtoi se teoritë e çipave janë dokrra dhe akuza qesharake.

“Vaksinimi do të bëhet sipas programit të përcaktuar, por unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë se vaksina jo vetëm është e sigurt, por vaksina është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm dhe për të thënë për të gjithë se dokrrat me çipa, apo për transformimin e ilirëve në viking janë qesharake.

Dokrrat me çipa e manipulime genesh janë qesharake. E kanë bërë edhe kolegë të mitë, do ta bëj edhe unë. Anëtarët e kabinetit qeveritar janë si gjithë të tjerët dhe nuk kanë pse të dalin në radhë para mjekëve, policëve, mësuesve dhe të moshuarve. As unë nuk do të duhej, por meqë kemi në vend një grup konspiracioni, do ta bëj. Nuk do të doja t’i zija radhën askujt, por do ta bëj sot patjetër vetëm për këtë arsye”, u shpreh Rama.

Më tej kreu i qeverisë shtoi se  Shqipëria ka të gjithë strukturën e mbajtjes së vaksinave dhe gjithçka do të bëhet publike pak ditë më vonë.

“Në mënyrë që të jemi të gjithë transparent dhe për të treguar se jemi të mirë përgatitur që nga dita e parë e luftës”, tha ai.