Studiues dhe ekspertë britanikë ishin javën e kaluar në Shqipëri, për të mbledhur fakte në lidhje me emigrimin e të rinjve shqiptare drejt Britanisë së Madhe.

Një prej tyre ishte edhe Dr. Krish Kandiah i Fondacionit Sanctuary, i cili paralajmëroi se “shumë të rinj do të bëjnë kalimin e rrezikshëm nëse nuk bëhet më shumë për të hapur rrugët ligjore dhe për të ulur varfërinë në vend”, raporton media britanike “The Mirror”.

Dr. Kandiah tha se varfëria ishte një “faktor shtytës” i madh për largimin e të rinjve nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar.

“Kur isha për herë të fundit në Shqipëri në vitet 1990, ishte zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë me më shumë njerëz që udhëtonin me kuaj dhe karroca sesa makina. Megjithatë, ndërsa qytetet janë modernizuar shpejt, ka pjesë të vendit që janë lënë pas nga zhvillimi” – tha ai.

Një faktor tjetër, që sipas tij po i nxit të rinjtë të shkojnë ilegalisht në Britani është edhe “kërcënimi i qeverisë së Rishi Sunak, për të ndaluar varkat e vogla”.

“Bandat përfitojnë nga kjo, duke ofruar marrëveshje speciale, duke sugjeruar se vdekja e Mbretëreshës ose dorëheqja e Boris Johnson ofron një mundësi një herë në jetë për një kalim më të sigurt” – tha ai.

Duke intervistuar një grup të rinjsh në Kamëz, një qytet pranë kryeqytetit Tiranë, Dr. Kandiah zbuloi se të gjithë ata kishin një anëtar të ngushtë të familjes që kishte udhëtuar në Angli me një varkë të vogël – thuhet në shkrimin e “Mirror”.

Ai tha: “Ata kishin shkuar për “para të shpejta” shumica kishin shkuar për të punuar në ekonominë gri, në lavazhe dhe ndërtim.”