Epidemiologët kanë rritur alarmin se në Shqipëri mund të jenë duke qarkulluar edhe variante të tjera të Covid-19. Nisur nga shifrat e larta të infektimit, laboratori i Institutit të Shëndetit Publik ka dërguar një kampion mostrash në Berlin, prej ku edhe pritet konfirmimi se çfarë variantesh të Covid ka prekur popullatën.

“Epidemiologët e terrenit raportojnë në lidhje me identifikimin e këtyre mutacioneve. Identifikim në laboratorin tonë akoma nuk kemi të mutacioneve, por jemi duke përgatitur një kampionaturë të përzgjedhur për të dërguar në laboratorin e referencës në Berlin, përsa i përket identifikimeve më të thelluara”, thotë virologia Iris Hasibra për Tv Klan.

Muaji shkurt ka sjellë rritje të testimeve, të cilat janë përafruar deri në 4000 brenda 24 orëve, kjo sipas virologes ka sjellë edhe rritje të rasteve pozitive.

“Pozitiviteti është i lartë sepse kjo është një rritje progresive, sa më shumë testime bëhen dhe ka një progresivitet në lidhje me kapjen sa më të shpejtë të të gjitha rasteve pozitive me Covid”.

Zyrtarisht në Shqipëri kemi qarkullim vetëm të variantit të parë të Sars Cov 2, deri në marrjen e rezultateve të mostrave të dërguara në Berlin. Pak ditë më parë, një vajzë shqiptare që ishte nisur nga Rinasi u konfirmua me variantin britanik të virusit, pas testeve që kreu në Gjermani.