Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë së shpejti Shqipërinë. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Anadoll”.

Duke deklaruar se Turqia po bashkëpunon me Shqipërinë në industrinë e mbrojtjes, Ibrahim Kalin tha se, paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë do të thotë paqe dhe stabilitet për të gjithë rajonin.

“Është në interesin tonë të ndihmojmë autoritetet shqiptare të sigurisë në luftën kundër terrorizmit, trafikut të qenieve njerëzore, drogës dhe krimeve të ngjashme”, – deklaroi Kalin.

Zëdhënësi tha se u takua me kryeministrin Edi Rama dhe se diskutoi me të marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe theksoi se vizita e Ramës në Turqi kishte qenë shumë produktive.

Ai tha se dy vendet kanë zhvilluar bisedime për përgatitjen e vizitës së presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan në Shqipëri në muajt e ardhshëm.

Shqipëria ka rrënjë të thella historike dhe marrëdhënie të gjata me Turqinë, vijoi Kalin, duke përsëritur se të dyja vendet po punojnë ngushtë nga fusha e tregtisë tek ajo e sigurisë dhe çështjet rajonale.

Ai e vuri theksin tek puna, sipas tij, e rëndësishme e Ankarasë e kryer në bashkëpunim me autoritetet shqiptare në kuadër të luftës kundër organizatës se Fetullah Gylen.

Zëdhënësi i Erdogan shtoi se, bashkëpunimi do të vijojë në përmirësimin e infrastrukturës, shëndetësinë, tregtinë, investimet, sigurinë, arsimin, kulturën dhe historinë përmes institucioneve turke që veprojnë në Shqipëri prej vitesh.