Së shpejti pritet një transformim thelbësor në sektorin automobilistik. Deklarata në Paris mbërrin nga Pascal Canfin, president i Komisionit për Mjedisin në Parlamentin Evropian.

Sipas tij në 18 muajt e ardhshëm do të rishikohen rreth 50 ligje në nivel evropian në kuadër të Green Deal dhe ligjit për Klimën. Objektivi është reduktimi i çlirimit të CO2 të paktën 55% në 2030.

Kështu, së pari propozimi i Komisionit Evropian mund të parashikojë që brenda 2035 nuk do të jetë më e mundur të tregtohen mjete me karburant, por vetëm elektrike.

Standardet e reja që do vendosen mbi CO2 do të jenë mjaft të rrepta, dhe teknologjia aktuale e motorëve me benzinë apo naftë, nuk do të jenë në gjendje t’i përmbushin.

Duke qenë se vëmendja është në reduktimin e ndotjes mjedisore, orientimi është prodhimi i baterive për automjetet elektrike edhe në Evropë, pasi deri tani pjesa më e madhe e tyre importohen nga Azia.

Një tjetër paketë e rëndësishme pritet për në muajin qershor, me 12 direktiva, që do të aplikohen në sektorët e automjeteve, agrikulturës, prodhimi i energjisë dhe e banesave.