Për çudi, megjithëse ka bërë kaq shumë për ne shqiptarët, bie në sy mungesa e mirënjohjes nga të dy shtetet tona (Shqipëri e Kosovë) për Rami Saarin(!!!)…

 

Po të klikosh në “Google” emrin Rami Saari të shfaqen këto radhë: “Rami Saari i lindur më 17 shtator 1963 në Petah Tikva, Izrael, është poet, përkthyes, gjuhëtar dhe kritik letrar. Ka studiuar dhe dhënë mësime për gjuhësi semitike dhe uralike në universitetet e Helsinkit, Budapestit dhe Jerusalemit si dhe ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin Hebraik të Jerusalemit (2003). Prej vitit 2003, Saari ndan kohën e vet mes Jeruzalemit dhe Athinës. Deri në shkurt 2013, Saari ka botuar shtatë libra me poezi dhe ka përkthyer më shumë se gjashtëdhjetë libra, prozë si dhe poezi, nga shqipja, estonishtja, finlandishtja, greqishtja, hungarishtja, portugalishtja, katalanishtja dhe spanjishtja.
Nga shqipja ka përkthyer vepra të shkrimtarëve shqiptarë Dritëro Agolli, Lindita Arapi, Shaip Emërllahu, Sabit Idrizi, Ismail Kadare, Lindita Karadaku, Nasi Lera, Mira Meksi, Betim Muço, Ali Podrimja, Dhimitër Pojanaku, Xhevahir Spahiu dhe Visar Zhiti. Poezinë e Saarit e ka përshtatur në shqip Natasha Lushaj dhe e kanë përkthyer Silke Liria Blumbach dhe Andi Kosta. Poezi të veçanta të Saarit janë botuar në shqip, katalanisht, anglisht, estonisht, finlandisht, frëngjisht, gjermanisht, greqisht, japonisht, maqedonisht, rusisht dhe spanjisht. Prej vitit 2002, Saari ka qenë redaktori kombëtar i faqeve të Izraelit në web-faqen e poezisë. Në vitet 1996 dhe 2003 u shpërblye me Çmimin e Kryeministrit për Letërsi dhe në vitin 2006 u shpërblye me Çmimin Çernikhovsky për përkthimet e tij. Në vitin 2010 u shpërblye me Çmimin e Akademisë Hebraike për poezinë dhe përkthimet e tij që kanë pasuruar letërsinë e Izraelit. Tituj të veprave: “Vini re, e gjeta vatrën time” (1988) “Burra në udhëkryq” (1991), “Rruga e dhimbjes së patrembur” (1997), “Libri i jetës” (2001), “Aq shumë, aq shumë luftë” (2002) “Shoguni i pestë” (2005)…”

Rami Saari, si një intelektual parimor që udhëhiqet vetëm nga e vërteta, më 16 prill të 1999-s, botoi në gazetën më të madhe të Telavivit “HA’ARETZ” dëshminë e tij në mbrojtje të kauzës së luftës për lirinë e Kosovës. Nëpërmjet një analize ekzakte, me logjikën e ftohtë që të japin faktet, ashtu siç di vetëm ai kur futet në lëkurën e shkencëtarit, Rami Saari provoi para botës se sa e rreme ishte akuza e armiqëve të kombit tonë për gjoja “motivet islamike” të shqiptarëve të Kosovës në këtë luftë. Ai shkrim menjëherë u botua i përkthyer edhe në anglisht. Shpirti i humanistit të madh nuk mund të heshtte kur mbi shqiptarët binte llava e genocidit serbomadh. I kthjellët si kristal, me guximin dhe mençurinë e një poliglodi si ai, izraeliti i madh Rami Saari kontribuoi me atë shkrim duke demontuar një nga akuzat më djallëzore dhe të rrezikshme që armiqtë e shqiptarëve kishin fabrikuar për të disinformuar opinionin botëror.
Sigurisht, kushdo që i lexon këto radhë, kupton që nuk ka të bëjë me një njeri të zakonshëm.
Po të përpiqem të luaj me asosacionet dhe fjalët, fjala [metafora] në greqisht do të thotë transport, hamallëk. Edhe fjala [metafrastis], që do të thotë përkthyes, mund të shpjegohet si “hamall i frazave”…

Prandaj mua, sa herë që bie fjala për përkthyesit, më kujtohen hamejtë. Meqë e kam provuar edhe vetë në ndonjë rast punën e përkthimit, kam për ta, veç admirimit, edhe respektin e njerëzve që bëjnë punën e një hamalli.
Që kur e kam takuar për herë të parë, 50-vjeçari Rami Saari do të më shokonte jo vetëm me talentin e jashtëzakonshëm, me erudicionin e rrallë që zotëronte, por edhe me një modesti gjer në palcë për gjithçka kishte arritur dhe bërë gjer më tani. Për mua ishte hera e parë që bisedoja me një filolog dhe poet të huaj që kishte bërë me përkthimet e tij kaq shumë për letërsinë shqipe, që admironte kaq shumë vendin tim dhe shkrimtarët tanë. Rami Saari kishte shkruar edhe poezi të ndjera për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Tjetër gjë që të bën përshtypje te Rami Saari, është respekti i tij për gjuhët e popujve të vegjël. Shumica e gjuhëve të huaja që ai zotëron (12) dhe sidomos e atyre që përkthen, shtatë gjuhë janë të tilla. Hamall i madh i gjuhëve të vogla. Ky është përkthyesi Rami Saari. Hamalli fisnik edhe i letërsisë shqipe. Dhe me aq sa e njoh unë drejtshkrimin e shqipes, fjala hamall në këtë rast nuk i do thonjëzat.
Kur Ismail Kadare u nderua me çmimin e madh “Jerusalem Prize 2015″, patjetër është aty edhe kontributi i jashtëzakonshëm i Rami Saarit.
Nga shkrimtari ynë i madh, ai ka përkthyer në hebraisht “Prilli i thyer”, “Piramida” dhe “Aksidenti”. Sa shumë e do dhe sa shumë ka bërë për atdheun tonë ky izraelit i madh… Por për çudi (dhe për turp), megjithëse ka bërë kaq shumë për ne shqiptarët e kulturën tonë, bie në sy mungesa e mirënjohjes nga të dy shtetet tona (Shqipëri e Kosovë) për Rami Saarin(!!!)…

Bash për këtë, ne duhet t’i themi me zë të lartë faqe botës: Faleminderit Rami Saari!


Por këtë radhë, ne do t’ju paraqitim Rami Saarin poet. Me ndihmën e përkthyesit tonë të talentuar të greqishtes Bardhul Toda, ne do t’ju sjellim një grusht poezish nga krijimtaria e tij e begatë. Poezitë e përkthyera nga ai në këtë përmbledhje kanë edhe një veçanti. Ato janë verifikuar dhe konsultuar një për një, edhe nga vetë Rami Saari. Ai e miratoi plotësisht përkthimin e tyre në shqip dhe e falenderon me entuziazëm për punën cilësore Bardhul Todën. Duke u njohur me vargjet e tij, ju do të përballeni me një botë shpirtërore shumë të rrallë dhe krejt autentike të poetit. Ndjenja të përziera të një shpirti të ndjeshëm, të një psikologjie fataliste pothuajse gjer në ekstrem ka në poezitë e tij. Edhe dhimbjet njerëzore për çdo gjallesë që vuan skamjen, vetminë, mizerjen, kancerin, fatin, racizmin, ndarjet, pritjen e pafundme, apo çdo mungesë, janë në këndvështrimin e poetit. Humanizëm i përsosur dhe i pasosur, si e gjithë vepra e tij filologjike, është edhe universi poetik i Rami Saarit. Raportet mes njerëzve me ngjyra të ndryshme, me kultura dhe fe të ndryshme, etj, dhe triumfi i dashurisë mbi to, në mënyrën se si shtjellohet psh në poezinë “Karvan ciganësh”, për nga këndvështrimi dhe teknika e realizimit, është befasues. Sipas poetit, vetëm dashuria është “melhemi” që shëron plagët tragjike të racizmit. Është bota me lumturinë e munguar, janë njerëzit në dhimbje, plagët e tyre, ato që lenë gjurmë në shpirtin e brishtë të poetit. Dashuri dhe dhimbje humane, janë ato që do të gjeni në vargjet e përsosura të vegjetarianit Rami Saari. Vetëm ndjeshmëria, brishtësia dhe delikatesa e një shpirti poet, mund ta ketë çuar, ashtu si Fan Nolin tonë poet, drejt një qëndrimi të tillë ndaj qenieve të gjalla. Vargje të përsosura për dhimbje të pasosura do të gjeni në poezitë e këtij libri.
Prandaj, edhe për këtë, bashkë me mirëseardhjen Rami Saarit, le t’i themi faqe botës sonë shqiptare: Faleminderit poet!

_____

Ilir MBORJA

Maj, 2017