Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se edhe pas miratimit të projektvendimit për inceneratorin e Elbasanit, ekipi që ai drejtonte në atë kohë, kishte sugjeruar një formulë tjetër për nënshkrimin e marrëveshjes mes palëve, që nuk u ndoq nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

“E kam shumë bezdi t’i bie një njeriu që është shtrirë në tokë. Ky ishte mendimi i ministrisë së Financave: Të vihej në punë, të shihej eficienca, madje kam thënë që organet kompetente ta vlerësojnë eficiencën, jo Ministria e Mjedsit. Por këto janë çështje të negociatave”, tha Cani gjatë dëshmisë në Komisionin Hetimor të inceneratorëve.

“Ministria e Financave gjithnjë është konservatore. Fëmija kërkon akullore, por kryefamiljari nuk ka lekë për bukë… Pjesa negociuese është ajo që mund ta bëjë ose jo këtë. Sepse ke edhe një kundërpalë përballë. Dëshira e Ministrisë së Financave ishte kaq, nuk mund të them që duhet t’ia vinim kusht. Formalisht, i kishin plotësuar kërkesat, por i thamë negocio, por mundësisht të paguash në fund”, theksoi Cani.