“Kur abuzojnë ca adoleshentë italianë, ia paguajmë ne shtetarët e djathtë faturën… Ndërsa te ju, kur vjedhin pusht-etarët e majtë, faturën e paguani ju të varfërit!
_____

Në vizitën e saj në Shqipëri, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni na dha një mesazh e një leksion nga të cilat duhet të nxjerrim mësime dhe t’i vemë gishtin kokës ne shqiptarët. Mesazhin e parë duhet ta nxjerrim nga “shuplaka” e parë që, siç e kemi thënë, ia rezervoi kryeministrit tonë Edi Rama që në nisje. Në kontrast të thellë me lëvizjet e kryeministrit tonë “socialist” që përdor çarterat e avionët luksozë për çdo udhëtim, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni zgjodhi për të ardhur në Shqipëri një traget linje krejt të zakonshëm, dmth. me një nga mjetet e transportit publik më pak komodë e më pak të kushtueshëm.
Ndërsa, në përfundim të vizitës së saj, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, na dha një leksion edhe më të çmuar ne shqiptarëve.
Duke likuiduar faturën për bashkatdhetarët e saj që u larguan nga një restorant në Berat pa paguar, përveç “shuplakës” së dytë edhe më të fortë që i dha kryeministrit tonë Edi Rama, ne shqiptarëve na dha një leksion të vyer.
Me këtë veprim, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e nxorri blof kryeministrin tonë, kur, për shumë nga shtetarët e përzgjedhur personalisht prej tij që kapen nga SPAK-u “duke vjedhur dardha e fiq pas kurrizit të tij”…, na thotë se “përgjegjësia është personale”…
Kur kryeministrja Meloni, e ndjen si detyrim moral shlyerjen e faturës së papaguar nga një grup turistësh italianë të panjohur me fondet personale të veta, po kryeministri ynë, ç’duhet të bëjë kur zëvendësi i tij ia fut vrapit si adoleshentët italianë në Berat?
“Kaq budallenj jeni ju shqiptarët që besoni këto broçkulla me “fiq e dardha” miliona euroshe?! Apo jam unë budallaçkë, që kur abuzojnë ca adoleshentë italianë, ia paguajmë ne shtetarët e djathtë faturën? Ndërsa te ju, kur vjedhin pusht-etarët e majtë, faturën e paguani ju të varfërit!
Unë, apo ju shqiptarët jeni kaq budallenj?!
…Apo dhe ju besoni se “për të majtën gjithmonë të gjithë fajin e kam unë?!”” – këtë na tha Giorgia Meloni duke ikur nga Shqipëria.

Engjëll Nova