Gjykata e Posaçme ka pranuar këtë të premte kërkesën për gjykim të shkurtuar nga ana e ish-ministrit Lefter Koka, ish-deputetit Alqi Bllako dhe gjashtë të akuzuarve të tjerë për inceneratorin e Elbasanit.
Për këtë çështje janë marrë të pandehur 10 persona, ku përveç Kokës dhe Bllakos, janë edhe Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, dhe Etleva Kondi, si dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Ata do përballen me akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Lefter Koka është shprehur në disa seanca se akuzat ndaj tij janë të paprovuara, duke pretenduar se procesi është i montuar me qëllim që ai të goditet politikisht. Edhe ish-deputeti Alqi Bllako deklaroi se nuk ka pasur asnjë rol në dhënien e koncesionit.