Silva Bino, drejtuesja e departamentit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik u pyet gjatë një konference për mediat të Komitetit të Ekspertëve lidhur me infektimin me COVID-19 të mjekut Pëllumb Pipero, i cili ishte në grupin e parë të mjekëve që morën vaksinën kundër COVID-19, më 11 janar.

Ekspertja e mjekësisë theksoi se infektimi nuk ka ardhur prej efikasitetit të vaksinës, por ngaqë duhet deri në gjashtë javë që vaksina të nxisë zhvillimin e imunitetit dhe duhen patjetër dy doza që të ketë efekt të lartë.

Prandaj znj. Bino apeloi që të gjithë ata që janë në programin e vaksinimit të vijojnë të zbatojnë me korrektesë masat kufizuese.

“Doktori ka qenë i ekspozuar, sepse edhe punon dhe natyrisht ka pasur kontakte edhe me njerëz të tjerë, kjo është arsyeja që ai është ri-infektuar, dhe ky rast vlen për të thënë se të gjithë ata që janë vaksinuar, nuk është e thënë që duhet të ulin masat parandaluese, përkundrazi duhet t’i zbatojnë ato po njësoj”, tha epidemiologia.

Pipero ka shërbyer në detyrë në spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” që prej nisjes së pandemisë. Më 11 janar, në një intervistë televizive ai mohoi të kishte qenë infektuar përpara datës kur mori dozën e parë të vaksinës. Mjeku i njohu rezultoi pozitiv 16 ditë më pas duke nxitur diskutime për cilësinë e vaksinës.

Mirëpo në deklaratën për mediat të hënën Bino tha se pas dozës së parë imuniteti kërkon më tepër se dy javë të fillojë të krijohet.

“Kjo është arsyeja që doza e dytë bëhet pas javës së tretë dhe më tej duhen rreth 10 ditë nga kjo dozë e dytë e vaksinës që të krijohet imuniteti i plotë, pra nga doza e parë deri te krijimi i imunitetit do të duhen 5-6 javë”, tha Bino duke kujtuar se efektshmëria deri mbi 95% e vaksinave shkon bashkë me dozën e dytë dhe jo vetëm me dozën e parë.

Gjatë 5-6 javëve personat që janë në fazën e vaksinimit duhet të vijojnë të mbajnë maskë. Ndërkohë raporti prej rreth 4-5% jo-efektshmërie që mund të kenë vaksinat e bën të nevojshëm që edhe të vaksinuarit të vijojnë të respektojnë masat si distancimi fizik apo mbajtja e maskave.

Zyrtarisht vaksina anti-Covid nuk të bën të paprekshëm nga infeksioni, mirëpo ul ndjeshëm agresivitetin e sëmundjes në rastet kur prekemi dhe personat e vaksinuar mund ta kalojnë më lehtë duke ulur rastet që kërkojnë hospitalizim.

Prej diagnostikimit të rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri janë pikasur 78 mijë raste të tjera, prej së cilave 60% janë mundur të shërohen, 38.2% mbeten me mbartje të virusit ndërsa 1.8% nuk ia kanë dalë mbanë. Tre javët e fundit autoritetet shëndetësore kanë nisur të vaksinojnë personelin e sistemit shëndetësor me synimin që të minimizojnë rastet e infektimeve ndër mjekë.

Rasti i Piperos, si i infektuar pas dozës së parë të vaksinës, mbetet i vetmi i raportuar zyrtarisht deri më sot.