Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz dhe ministri i Brendshëm Karl Nehammer mbajtën paraditen e së martës një konferencë për shtyp ku dhanë detaje nga sulmi terrorist që tronditi mbrëmjen e së hënës Vjenën.

Ministri Karl Nehammer konfirmoi se një nga të dyshuarit si terrorist, i cili u vra nga policia, ishte 20-vjeçar me dyshtetësi austriake dhe verio-maqedonase. Ai thuhet se kishte precedencë penale.

Teksa e cilësoi sulmin me bazë ekstremizmin islamik, Kancelari Kurz e dënoi ashpër atë duke këmbëngulur se “për këtë ngjarje, Austria nuk duhet të dënojë të gjithë besimtarët e një feje” pasi kjo “është një luftë mes njerëzve që besojnë në paqe dhe atyre që besojnë te terrorizmi”.

Nga sulmi, që ndodhi në të paktën gjashtë vende në qendër të Vjenës, humbën jetën pesë persona ndërsa 17-të të tjerë u lënduan, prej së cilëve shtatë thuhet se janë në gjendje të rëndë.

Policia aktualisht po vijon aksionin për kapjen e të dyshuarit tjetër për aktin terrorist.