“Një bombë bërthamore”. Kështu e cilësojnë shkencëtarët pandeminë e koronavirusit në Brazil, e cila është jashtë kontrollit dhe kërcënon seriozisht luftën globale për t’i dhënë fund pandemisë. Varianti më infektues, e rezistent ndaj vaksinës i shfaqur atje, është bërë dominant në shumë shtete dhe nuk ka shenja për ngadalësim të përhapjes.

“Informacioni është një bombë atomike. Media nuk po e kupton se ç’do të thotë kjo. Të gjitha variantet shqetësuese janë më të transmetueshme, gjë që nënkupton përshpejtim të përhapjes së pandemisë. Është një katastrofë”, tha doktor Roberto Kraenkel, biomatematicien.

Edhe në Shtetet e Bashkuara janë identifikuar 15 raste infektimesh me variantin brazilian. Fatmirësisht atje, rritja e vaksinimeve dhe rënia e rasteve ditore po ndihmon në frenimin e përhapjes së tij, por kjo nuk mund të thuhet për Brazilin, ku spitalet janë përtej kapaciteteve ndërsa fushata e imunizimit të popullsisë është shumë prapa.

“Asnjë vend nuk do të jetë i sigurt deri sa të gjitha vendet të kenë vënë nën kontroll pandeminë”, u shpreh dr. Denise Garret Mjeke, SHBA.

Ekspertët paralajmërojnë se vende si Brazili, pa kufizime e më përhapje komunitare, janë terrene të përshtatshme për mutacione të reja të rrezikshme. Varianti P1, i zbuluar atje në dhjetor i shpëton antitrupave të krijuara nga infektime të mëhershme. Lajmi i mirë sipas ekspertëve është se vaksinat duket se mbrojnë nga varianti brazilian, ndryshe nga konstatimet e mëhershme. Mbi 1900 viktima u shënuan të martën në Brazil, numri më i lartë që prej shpërthimit të pandemisë. 80 për qind e shtretërve në terapitë intensive në vend, janë të zëna nga pacientë me Covid-19.