Institucionet shtetërore dhe ato private kanë dërguar përgjigje të paplota ose nuk i kanë kthyer fare përgjigje kërkesave të komisionit hetimor parlamentar për të ashtuquajturën “afera e inceneratorëve”.

Në mbledhjen e së martës, ku u bë administrimi i përgjigjeve në funksion të hetimit, kryetarja Jorida Tabaku tha se një pjesë e informacionit të ardhur është “publikisht i aksesueshëm”, ndërsa sipas saj mungon informacioni thelbësor.

Tabaku lexoi një listë me shkresa, ku mungonin përgjigjet nga Drejtoria e Tatimeve, drejtoria e Thesarit, bashkia Tiranë, Ministria e Mjedisit, etj.

“Nuk na janë vënë në dispozicion listëpagesat për kompanitë koncensionare,” tha Tabaku, duke i cilësuar ato si të rëndësishme për të hetuar si janë shpenzuar paratë publike. Po ashtu, Tabaku bëri të ditur se akoma në komision nuk ka mbërritur praktika protokollare dhe ajo proceduriale e ndjekur nga institucionet shtetërore në dhënien e këtyre kontratave.

Gjatë mbledhjes u diskutuan edhe 3 dokumente të dërguara nga Këshilli i Ministrave, të cilësuara si draft-kontrata të firmosura mes ministrit të Financave dhe administratorëve të kompanive përfituese.

Deputetët e opozitës ngritën dyshime mbi këto dokumente, pasi ata kishin kërkuar kontratat. “Si mund të sjellësh si dokument zyrtar një draft-kontratë, mos do të thotë kjo se në dokumentin e kontratës të jenë bërë ndryshime nga ky dokument?” pyeti deputeti Helidon Bushati.

Por nënkryetarja e komisionit, Ermonela Felaj kërkoi që të mos paragjykohen përgjigjet si dhe të niste puna me planin hetimor. Kjo kërkesë u kundërshtua nga Tabaku, e cila tha se hetimi nuk mund të niste pa marrë dokumentet e kërkuara.

Ajo paralajmëroi dhe një herë bankat e nivelit të dytë dhe të gjitha institucionet e tjera që nuk kanë kthyer përgjigje kërkesave të komisionit se do të bënte kallëzim penal ndaj tyre. Por deputetët e mazhorancës deklaruan votën kundër një veprimi të tillë.

“Do të jetë një vendim personal i juaji, jo i komisionit,” tha Felaj.

Komisioni nuk arriti të niste zyrtarisht hetimin, duke lënë dhe një javë tjetër kohë për mbledhjen e informacionit.