Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi të martën se kishte emëruar me mandat të plotë 3-vjeçar Anita Jellën në krye të Prokurorisë së Durrësit dhe Genti Xholin si drejtues të Prokurorisë së Apelit Tiranë.

Dy emërimet e reja ndjekin një praktikë të re të promovimeve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të pavarur nga procesi i vetingut.

Prokurorja Anita Jella u ngrit në detyrë nga KLP, ndonëse është në pritje të nisjes së procesit të saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e saj me pretendimin se nuk ka arritur nivel të besueshëm në kriteret e pasurisë dhe profesionalizimit.

Ankimimi për Jellën erdhi pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ndërkohë, prokurori Genti Xholi e ka kaluar me sukses procesin e vetingut me një vendim përfundimtar.

E pyetur nga BIRN nëse KLP e ka marrë në konsideratë ankimin e Komisionerit ndaj Jellës, këshilltarja për mediat, Carmen Gjani sqaroi se “është detyrim ligjor i Këshillit që në procesin e ngritjes në deyrë të kryejë verifikim pasurie dhe figure, të mos kushtëzohet nga ecuria e vetingut”.

“Përndryshe, i gjithë sistemi i karrierës, i cili është në një moment kritik sa i takon drejtimit në prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, do të mbetej i pezulluar për sa kohë vazhdon procesi i vettingut,” tha ajo, duke shtuar se kjo do ta shtynte zgjedhjen e drejtuesve në afate të paditura.

“Në rastin në të cilin Këshilli do të pranonte vetëm kandidatë të cilët janë konfirmuar me vendim të formës së prerë nga organet e rivlerësimit, do të cënonin parimin e barazisë në garë të prokurorëve,” shtoi Gjani.

Më 26 mars, KLP vendosi po në mënyrë unanime caktimin e prokurores Elisabeta Imeraj si drejtuese të Prokurorisë së Tiranës dhe prokurorit Kreshnik Ajazi në krye të Prokurorisë së Elbasanit, pa u marrë ende një vendim nga KPK. Po ashtu, Imeraj dhe Ajazi ishin kandidatë të vetëm për pozicionin e drejtuesit në prokuroritë që aktualisht drejtojnë.

Prokurorja Imeraj u konfirmua në detyrë nga Komisioni më datë 1 prill në mënyrë unanime, pas një seance dëgjimore të zhvilluar më 24 mars që zgjati 8 orë, ku ajo u përfshi në një përplasje të ashpër me vëzhguesin ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili e akuzoi për një seri veprash penale, përfshirë përgjime të paligjshme dhe shantazh të anëtarëve të KPK-së. Ndërsa prokurori Kreshnik Ajazi nuk është përballur ende me shkallën e parë të vetingut.