Shihni përtej dritave dhe kujtohuni për të varfrit. Me këtë mesazh ju drejtua Papa Françesku, miliona të Krishterëve rreth botës, teksa mbajti meshën në vigjilje të Krishtlindjeve.

Rreth 2 mijë persona ndoqën ceremoninë solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, me një pjesëmarrje të reduktuar për shkak të pandemisë.

Papa Françesku theksoi se ata që janë indiferentë ndaj të varfërve, ofendojnë Zotin.

“Në një natë dashurie, le të kemi vetëm një frikë; atë se mos ofendojmë dashurinë e Zotit duke përçmuar të varfrit me indiferencën tonë. Jezu Krishti i donte ata dhe një ditë, ata do të na mirëpresin në parajsë”, tha Papa.

Në Kishën e Lindjes në Betlehem, mesha e mesnatës u drejtua nga Patriarku i Jerusalemit, Pierbattista Pizzaballa.

Pjesëmarrja ishte e reduktuar për shkak të kufizimeve të Covid-19 dhe shqetësimeve për variantin Omicron. Vetëm pak njerëz u mblodhën në sheshin Manger, vendi ku besohet se ka lindur Jezu Krishti.