Sa herë që ka një lajm me ‘arrestim të fortësh” apo vrasje e plagosje, gjithmonë dalin edhe të dhëna për jetën e tyre, familjare, shoqërore…

Shpesh herë këto informacione janë të njohura, mjafton t’i përmendet emri, por ka edhe raste kur “çunat e fort” nxjerrin në pah vajzat që kanë në krah dhe vetë qëndrojnë në hije.

Ata e bëjnë jetën në hije, të  pa u shfaqur, ndërsa partneret e tyre, mesa duket nuk durojnë dot dhe gjithë luksin me të cilin janë rrethuar e jetojnë e derdhin në instagram. Dhe kështu influencojnë. Kanë me mijëra ndjekës. Bëhen model për t’u ndjekur. Media u jep hapësirë se i sheh si kohë për të mbushur programet. Dalin në ekrane, mëngjes e pasditeve dhe tregojnë si dhe ku i kalojnë pushimet.

Sa shpenzojnë për veshjet e verës e të dimrit. Ku udhëtojnë. Çfarë hanë në mëngjes, drekë e darkë dhe ja ku i kemi sa në telefon, sa në televizor.

Këto janë vajza të ekranit, por edhe të instagramit, të sponsorizuara nga djem që kanë probleme me ligjin.

Asnjëherë nuk tregojnë se sa sakrifikojnë për të nxjerr këto të ardhura, por gjithmonë këtë moment, të rëndësishme për pjesën më të madhe të njerëzve e kalojnë si një gjë që arrihet lehtë. Ndërkohë përqendrohen të festa e fundit ku kanë marr pjesë, te baby shower i organizuar nga mikesha e tyre, të ditëlindja e fundit në hotele luksoze,  te lulet dhe fishekzjarrët që zbukurojnë netët e tyre… Jetë ëndrrash me pak fjalë!

Kur je e sponsorizuar nga partneri problematik me ligjin, i cili herët a vonë përfundon i arrestuar, pse duhet të imponohesh kaq shumë në çdo dritare komunikimi në rrjetet sociale!

Po ata që i shohin nga instagrami dhe ekrani i televizorit çfarë mesazhi marrin?! Si ndikon profili i vajzave të famshme që bëjnë jetë luksoze te ndjekëset e tyre sidomos, te adoleshentet apo tek ato që ende kanë pasiguri në vete.

Teknologjia na ka sjell shumë të mira, por na ka bërë edhe që të jetojmë me jetën online të personazheve të famshme, të cilat edhe kur nuk duam t’i ndjekim ato gjejnë formën për të na dal përpara.

Nga ana tjetër, televizion i pompon gjithmonë e më tepër. Duket si një marrëdhënie e ndërsjelltë, pasi ekrani ka nevojë për njerëz me shumë ndjekës dhe nga ana tjetër ato rrisin audiencën e tyre duke u shfaqur në TV.

Po të tjerët, çfarë fitojnë të tjerët?! Çfarë mësojnë? Cili është mesazhi që marrin!?

Duhet të kthehemi të vlerat, ndryshe kemi për t’u kalbur shumë shpejt, në mos ka ndodhur. Është shumë sipërfaqësore të ushqehemi me ato çka na servirin vajzat e famshme të sponsorizuara.

Shumë mund të thonë që nuk ushqehemi me to, por mjafton të të shfaqet njëherë në ditë në një nga këto rrjetet sociale për të treguar surprizën e fundit që i ka bërë partneri dhe kaq mjafton për të të “infektuar”.

Të gjithë duhet tu japim zë talenteve, vajzave dhe djemve të artikuluar, të talentuar që kanë çfarë rrëfejnë të cilët duhet të jenë modele për adoleshentët dhe bashkëmoshatarët e tyre. Në të kundërt shkëlqimi i markave false do i verbojë duke iu dëmtuar personalitetin, dëshirat por edhe ëndrrat.  Kujdes nga rrjeti dhe vajzat me sponsor!/e.r/vala-news.com

 

******

Në foton kryesore; Suada Sherifi, ish miss. Bashkëshorti i saj u arrestua sot si trafikant ndërkombëtar i drogës.