Vajza e aktivistit të njohur të të drejtave të njeriut në vitet ’50-’60 në SHBA, Malcolm X, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për vrasjen e tij. Skak është bërë një dëshmi e re që implikon policinë e New York dhe Byronë Federale të Hetimit.

“Çdo evidencë që siguron mundësi zbardhjeje të së vërtetës pas tragjedisë së tmerrshme duhet të hetohet rigorozisht”, është shprehur një nga gjashtë vajzat e tij, Ilyasah Shabazz.

Çështja duket se është vënë në lëvizje pas një seriali dokumentar të prodhuar nga Netflix, quajtur “Kush e vrau Malcolm X” në muajin shkurt të vitit të shkuar, që provokoi reagimin e prokurorit të Manhatanit, Cyrus Vance që kërkoi rishikimin e çështjes. Policia e New Yorkut ka deklaruar se ka vënë në dispozicion të gjitha të dhënat me rëndësi për çështjen, ndërkohë që zyra e FBI-së në New York nuk ka pranuar të komentojë.

Aktivist i komunitetit afrikan në SHBA, me bindje islame, Malcolm X u vra në shkurt të vitit 1965 dhe sëbashku me Martin Luther King kanë hyrë në historinë e Amerikës, si dy prej njerëzve më me ndikim në lëvizjen për të drejtat.

Gjatë një konference për shtyp të zyrës së prokurorit të N. Yorkut është lexuar edhe një letër e një ish-oficeri policie, Raymond Wood, tashmë i vdekur, ku akuzohej policia lokale dhe FBI për vrasjen. Hapja e çështjes përkon me disa ngjarje në SHBA si vrasja e Floyd dhe përplasjet e mëdha që i paraprinë largimit të Donald Trump.