Në vend të një homazhi në  përvjetorët e ndarjes nga jeta të Migjenit dhe Nasho Jorgaqit

Nga Ilir MBORJA

Diku në librin e Nasho Jorgaqit “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve” tregohet një legjendë që nis kështu: “Kur lind fëmija – në qiell lind edhe ylli i tij. Kur vdes njeriu – shuhet edhe ylli i tij… Por kjo s’vlen për Migjenin…” dhe më poshtë shpjegohet arsyeja se përse “ylli i tij” nuk shuhet por “ende shndrit”… Sigurisht, për Migjenin, nuk ka shqiptar që të verë në diskutim vendin e yllit më të parë që ndriçoi në qiellin e letërsisë sonë moderne. Të gjithë e pranojmë se ai na dha dritë si një Volter në mesin e errësirës së viteve ’30. Studiues të vëmendshëm theksojnë gjithashtu faktin, se historia jonë nuk njeh dikë tjetër si pararendës të tij… Për fat të keq, realiteti i sotëm shqiptar trashëgon plagë të rënda sociale dhe Migjeni, ende na grish të kërkojmë ndihmë tek vepra madhore që na la në jetën e tij të shkurtër. Për Migjenin, kurdoherë mbetet shumë për të thënë dhe për këtë, libri “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve” na ndihmon më së miri në këtë vit jubilar të tij. Migjeni, ndryshe nga shembuj të tjerë që njeh historia, është një figurë e rrallë përsa i përket koherencës midis artit të tij të guximshëm dhe njeriut që e shkruan atë.

Me pak fjalë dua të them se, pasi lexon këtë libër kujtimesh, pajtohesh plotësisht me mendimin që tek ai, Artisti dhe Njeriu janë një. Për Migjenin artist flet qartë vepra e tij e shkruar me një art sipëror të paparë në letërsinë tonë, që sipas mendimit tim, nuk njeh ende deri më sot ndokënd që ta ketë kapërcyer pragun e nivelit të humanistit të madh… Kush i lexon mbresat e bashkëkohësve, kupton që nocionet kohë e njeri, ai nuk i pa kurrë të veçuara. Sipas kujtimeve që sillen në këtë libër, Milloshi, si askush tjetër, jetoi duke ndërtuar raporte të ndershme me kohën. Veten e tij nuk e pa për asnjë çast jashtë bashkëkohësve që jetonin në mizerje. Prandaj për ata dhe vetëm për ata, “bijt’ e mjerimit”, ai me penën e tij “pash’ më pash’ i ka rënë ferrit” duke mos harruar t’i kujtojë ata që të ruajnë dashurinë për jetën dhe të mos e humbin shpresën tek “birt’ e shekullit të ri”. Zemra e poetit dhe prozatorit Migjen rrahu në çdo germë e rrokje me ritmin e njerëzve që koha padrejtësisht u kishte rezervuar varfërinë e mjerimin. “Ai menjëherë e zhyti penën në plagët shoqërore dhe ngriti akuzën ndaj saj” thotë në këtë libër Dhimitër Shuteriqi. Akuza e tij ndaj padrejtësive shoqërore u bë me fuqinë e mbinatyrshme të fjalës së tij, me hovin e një liriku apokaliptik, që ia “njesh me grusht mu në zemër malit që s’bëzan”.

Universi letrar i Migjenit, ku nuk gjen asnjë rresht që ai t’i jetë shmangur pozitës sublime të një misionari të madh humanist, shpjegohet me universin e njeriut Millosh. Për këtë arsye Nasho Jorgaqi ngulmon se gjithmonë mbetet shumë për t’u ndriçuar në 27 vitet e jetës së tij… Llava e zjarrtë e artit që shkroi Migjeni ynë, e fton gjithmonë studiuesin e palodhur të vizitojë kraterin e mushkërive të përvëluara të tij. Me këtë libër na fton dhe neve… Të eksplorosh është përgjithësisht bukur, por një ekspeditë për tek universi i Millosh Gjergj Nikollës, mbetet kurdoherë një kënaqësi e rrallë. Madje ajo bëhet e jashtëzakonshme kur, në këto çapitje shkencore drejt këtij miti të kulturës shqiptare, të udhëheq vetë Nasho Jorgaqi, miti ynë i letërsisë dokumentare…

Kështu edhe në këtë përvjetor, duke shfletuar librin “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve”, çdo lexues, përpos përshkrimeve jetësore të panjohura më parë, do të gjejë detaje të gjalla dhe perceptime objektive që të mbeten përgjithmonë në mendje. Përjetimet e mbledhura dhe të përzgjedhura me sqimë në këtë libër, jo vetëm që të lenë mbresa të pashlyeshme, por përcjellin edhe mundësinë e një përjetimi shumë emocional. Duke i shfletuar faqet me kujtimet e bashkëkohësve, të krijohet përshtypja se i ke përjetuar edhe vetë ato rrethana shoqërore me gjithë plagët e asaj kohe. Nga kujtimet e tyre merr vesh se dhimbjet e përvuajtshme të mushkërive delikate të djaloshit Millosh, kanë qenë të pandashme nga vuajtjet e njerëzve që lëngonin nën mizerjen e varfërisë. Aty kuptohet pse mushkëritë e djaloshit nuk mund të ishin të imunizuara nga plagët e padrejtësisë që mbarte një shoqëri e sëmurë për vdekje. Aty i kanë rrënjët edhe pikëpyetjet e mëdha që i zgjoheshin Milloshit të vogël: “Pse unë babë i kam kundrat kaq të mira e të bukura e shoku jem s’ka?.. Pse s’u blen ti dhe atyne?” Pikërisht këtu, tek naiviteti i pyetjeve të vogëlushit Millosh, asgjësohej çdo përgjigje e ndershme e një të rrituri që jetonte në një sistem hipokrit. Pas njëzet vjetësh, dmth, kur Milloshi u rrit e u bë Migjen, duke i ripërsëritur të njëjtat pyetje tek “Luli i vocërr”, mësojmë se ato pyetje, që Milloshi ia drejtonte të atit, atëherë mund të ishin naive. Por vetëm atëherë ama, ai nuk mund ta kuptonte realitetin e klonuar plot padrejtësi klasore. Më vonë jo. Me intelektin e tij sublim dhe një art të pashoq, ai u dha vetë përgjigje të gjitha pyetjeve. Faqet e këtij libri, kujtimet e Zenelit, personazhit të dikurshëm të tij, na e provojnë këtë. Në to kuptojmë se, shtrati ku flinin e zgjoheshin pyetjet naive të vogëlushit Millosh, mbeti deri në fund, për 27 vjetët e jetës së tij mbi tokë, shtrati i një Migjeni të ndershëm gjer në shenjtëri… E dëshmojnë më së miri këtë mbresat e pashlyeshme të motrave, shokëve në Shkodër e Manastir, apo të nxënësve të tij në Vrakë. E ka thënë me plot gojën, serioz dhe prerazi edhe Lasgushi: “Migjeni është poet, është shenjtor i artit.” Këtu, në këtë libër është shkruar…

Kështu pra, duke udhëtuar me sytë e mendjes nëpër faqet e këtij libri, bashkë me Milloshin i përjeton dhe i përballon me një dinjitet gjithë dhimbjet e mjerimit. Duke ndriçuar jetën e Milloshit me kujtimet e atyre që e njohën nga afër, do të kuptojmë më mirë përse Migjeni ynë i madh, mbi mizerjen dhe prostitucionin moral të një shoqërie të ndotur, mes një “derri të kënaqur” zgjedh pa mëdyshje të jetë “Sokrat i vuajtur”… Gjithmonë, njeriu dhe njerëzorja, triumfojnë me gjithë solemnitetin e tyre tek Millosh Gjergj Nikolla. Prandaj, ky udhëpërshkrim i 27 viteve të jetës së tij, është shumë më tepër se një eskursion shkencor. Ky është një fat dhe madje jo i vogël. Është pikërisht si të kesh fatin të takohesh me Migjenin, të lindësh e të jetosh njëkohësisht me të.
Pastaj Nasho Jorgaqi të krijon mundësinë që, nëpërmjet kujtimeve të bashkëkohësve të tij, të takohesh nga afër e të ndjesh rrahjet e zemrës së Migjenit të pavdekshëm edhe sot, pas 84 vjetëve të rrugëtimit të tij qiellor. Në faqet e këtij libri, përmes kujtimeve të motrave dhe shokëve të tij, luajmë edhe ne me lodrat e fëmijërisë së Milloshit. Rritemi bashkë me të. Udhëtojmë me biçikletë, apo rendim pas një topi arnuar prej leckave të mjerimit shqiptar. Me ngjyra të gjalla të një përmallimi impresionues, kridhemi edhe në liqenin ku ai ka notuar. Vozitim me biçikletën e tij dhe ndjejmë ajrin e ftohtë të Pukës të na përplaset në fytyrë. Meditojmë e vuajmë bashkë me vetminë e tij. Duke lexuar librin, kollitemi,.. Dhe dora na shkon padashje tek buzët për të parë se mos mushkëritë na nxjerrin gjak. Aq me vërtetësi tregohen kujtimet në këtë libër.

Interes paraqesin edhe kujtimet e bashkëkohësve të tij të viteve të Manastirit për bashkëmoshatarin seminarist. Me mall e respekt shprehen në kujtimet e tyre maqedonasit për djaloshin e brishtë plot edukatë që më vonë do të rrëmbente lavdinë e princit modern të letrave shqipe. Si askush më parë në këtë libër, Nasho Jorgaqi, duke gjurmuar ashtu siç di të gjurmojë vetëm ai, zbulon botën e madhe të Milloshit të vogël që më pas do të bëhej Migjen i madh. Pas bisedave dhe hulumtimeve shkencore merr vesh për së pari se bota shpirtërore e tij nuk paska qenë siç mund ta kishim përfytyruar deri sot. Milloshi ka qenë orator, ka lexuar librat që ka pëlqyer vetë dhe jo ato që i janë ofruar. Ai ka qenë i butë por edhe i rreptë kur e ka sjellë rasti. Milloshi këndonte. Kishte zë të bukur dhe ishte tenor lirik. I binte edhe mandolinës. Atë e pëlqenin vajzat dhe ai pëlqente dikë. Milloshi ka qenë i shoqërueshëm dhe i respektuar nga shokët. Pra, vetmia e jetimit Millosh paska qenë vetëm një gjendje e sinqertë meditimi për t’i zgjidhur vetëm me veten, pa ndërmjetësinë e ndokujt tjetër pikëpyetjet e mëdha për botën, marrëdhëniet e përjetshme me të, situatat e vështira që jeta ia fali me bollëk të pamëshirshëm. Vetmia do t’i kultivohej qysh herët si një ceremonial komunikimi i brendshëm. Vetëm me veten do të luftonte shpirti i Milloshit të vogël për të përballuar dhimbjet e mëdha që i rezervoi fati. Vetëm me veten do të dialogonte mendja e djaloshit për të zhbiruar misteret e çuditëshme të kësaj bote. Edhe për Zotin, mëdyshjen e ekzistencës apo inekzistencës së tij, vetë do ta zgjidhte. Duke shpërfillur dogmat e gatëshme që i servirnin në shkollë e në kishë, edhe mjegullnajën mistike të tyre, vetë zgjodhi ta davariste. Jeta, fati i tij vetjak, e shtynin më shumë se Niçe-ja drejt ateizmit. Në kishte një gjë që e bashkonte instiktivisht me Krishtin, do të ishte ngjashmëria mes shpirtrave të tyre. Të dy të virgjër. Të dy kishin pafund dashurinë për njerëzit në përgjithësi dhe për të varfërit në veçanti. I bashkonte pra humanizmi. “Çdo situatë përpiqej ta kalonte vetë, në heshtje dhe në dinjitet të plotë. Hallet vetjake nuk e kishte për natyrë t’i ndante me të tjerët, kurse ato të të tjerëve i merrte vetë përsipër.” – konkludon Nasho Jorgaqi pas dëshmive të mbledhura prej atyre që e njohën nga afër në Manastir…

“Kur lind fëmija – në qiell lind edhe ylli i tij. Kur vdes njeriu – shuhet edhe ylli i tij… Por kjo s’vlen për Migjenin. Jeta e Migjenit “u shua si në gjumë” – por ylli i tij ende shndrit… Shndritin e do të shndritin veprat e tij në zenitin e qiellit të letërsisë shqipe…Pse ai ka shkruar për “njeriun e vogël”…” Kështu përfundon legjenda që përmendëm në fillim të këtyre radhëve, që si e tillë, patjetër që ka një tis mistik nëpër të. Por ajo në fakt, më shumë se legjendë, është një metaforë që shpreh figurshëm përjetësinë e artit të Migjenit. Libri në tërësi shpjegon përbashkësinë e shpirtit të Milloshit me shpirtin e njerëzve që e rrethonin… Që kur lindi djali i Gjergj Nikollës, ashtu siç vërente e gjyshja “pa tamthin e hidhët” të individualizmit, e deri sa u rrit e u bë humanisti i madh Migjen, i qëndroi përballë realitetit shqiptar të kohës si askush tjetër. I vetëdijshëm si një misionar i mbinatyrshëm, ai këndoi për bijtë e mjerimit me forcën frymëzuese për t’i mbështetur ata në “luftra të reja e me fitue” drejtësinë shoqërore. Dhe këtë e bëri ashtu siç e thoshte Lasgushi, si “poet e shenjtor i artit.” Shenjtorët në tokë janë si Krishti në qiell dhe duke qenë të tillë, shpesh e kanë të vështirë të besojnë në qiell më shumë se tek ajo që shohin me sytë e tyre në tokë… Prandaj Migjenit i dukej e kotë që njerëzit lodheshin së ndërtuari Kullën e Babelit, që më pas, nga maja e majave të saj të pyesnin: “Perëndi, ku je?”. Por Zoti nuk dukej, se ashtu si Migjeni ishte frymë. Ndërsa njerëzit mund të shikonin vetëm frymorët, por edhe ai, Milloshi, ishte diku atje, në Shkodër a në Vrakë…

Kur lexon kujtimet e bashkëkohësve kupton pse ai nuk mund të besonte tek ata që ofronin “Zoti të dhashtë!” Në libër marrim vesh për zanafillën e episodit që e çoi Migjenin tek formulimi i aksiomës me të vërtetën më të tmerrshme brenda: ”Mëshira / bijë bastarde e etërve dinakë”. Vetëm për këtë varg, po të kishte Zot në qiell, apo, po të mos kishte angazhim politik të fshehur tek ca frymorë pa frymë, dy çmime Nobel, një për paqe e një për letërsi, duhet t’i ishin ofruar shënjtorit tonë poet. Por kjo nuk ndodhi, se duket, njëra nga të dyja hamendësimet e mia është fatkeqësisht e vërtetë. Gjithsesi nuk ka problem. Shenjtori nuk ka nevojë për çmime që i ofrojnë njerëzit, të cilët, për sa kohë janë gjallë, Bibla i përfill si “robër të mëkatit”… Askush si Migjeni tek “Molla e ndalueme”, nuk e ka shpjeguar më bukur tundimin që i shtie në ngasje të gjallët…

***

Të flasësh për Migjenin, mendoj se në fund, duhet të ndalesh e të thuash, qoftë edhe dy fjalë, për teologjinë…

Nëse në debatin e vjetër midis teologëve, për dy natyrat – tokësore apo qiellore të Krishtit është i vështirë kompromisi, për Migjenin mendoj se ky problem nuk ekziston. Nëse kjo çështje është një nga enigmat më të mëdha të krishtërimit, për historinë e letrave shqipe jo. Pas leximit të librit “Kujtime të bashkëkohësve për Migjenin”, që na dhuroi Nasho Jorgaqi, përgjigjja përfundimtare mendoj se është kjo: Ylli që lindi në Shkodër në 13 tetor të 1911-s, jetoi për 27 vjet si një shënjtor tokësor. Më pas, sot e deri në përjetësi ai ndrit si një Migjen.

 

Tetor 2016