Politikani veteran grek, Karolos Papulias, president në kulmin e krizës ekonomike 2008-09, vdiq sot në moshën 92-vjeçare.

Papulias ka lënë gjurmë të pashlyeshme në politikën e fqinjit tonë jugor.

“Me trishtim i dërgojmë përshëndetjet tona të fundit Karolos Papuliasit”, tha presidentja greke Katerina Sakellaropoulou në një deklaratë.

“Ai e nderoi institucionin më të lartë shtetëror me etikën dhe sjelljen e tij duke mbrojtur me forcë kohezionin social dhe unitetin kombëtar”, shtoi ajo.

Presidenti i tretë me dy mandate

Për herë të parë ai u zgjodh president në vitin 2005 me 279 vota dhe është rizgjedhur në vitin 2010 në këtë post, duke u bërë presidenti i tretë që ka qëndruar dy mandate në presidencë.

Më pas ai u përball me zemërimin e grekëve dhe popullariteti i tij pësoi një goditje fatale për mbështetjen e tij për masat shtrënguese, të diktuara nga BE dhe FMN.

Në tetor 2012, Greqia ishte në grahmat e një krize borxhi spirale dhe shkurtimeve jopopullore të pagave.

“Ne luftuam për Greqinë. Unë isha një luftëtar i rezistencës në moshën 15-vjeçare, duke luftuar kundër nazizmit dhe gjermanëve”, deklaroi në atë kohë Papulias, babai i të cilit ishte një oficer i lartë i ushtrisë, i cili gjithashtu kishte luftuar për Greqinë.

Karolos Papulias ishte një nga politikanët e parë që hoqi dorë nga paga e tij në shenjë solidariteti “për sakrificat e popullit”.

Ndërkohë për herë të parë në politikë ai është futur në vitin 1974 ku është bërë pjesë e PASOK-ut, duke shërbyer për 26 vite si deputet.

Ndërkohë në periudhën 1985-1989 shërbeu si ministër i Jashtëm, ndërsa në qeverinë ekumenike të Zolotas 1989-1990 shërbeu si zëvendësministër i Mbrojtjes Kombëtare. Ai u kthye në postin e ministrit të Jashtëm në vitin 1993, për të qëndruar deri në vitin 1996 me dorëheqjen e qeverisë Papandreu, në funksion të zgjedhjes së Kostas Simitis në postin e kryeministrit.

Së fundi ka qenë kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes Kombëtare dhe Punëve të Jashtme.

Lidhja me Shqipërinë

Por Karolios Papulias kishte një të veçantë tjetër, në raport me Shqipërinë. Ai ishte nga fshati Voshtinë në Çamëri, në kufi me Shqipërinë, fshat që sot quhet Pogonian.

Kësisoj, ai ishte shok fëmijërie me aktorin fierak Fuat Boçi, gjithashtu nga Voshtina.

Kur ishte ministër i Jashtëm i Greqisë, në vitet ’80, Karolos Papulias bëri vizitën e parë në Shqipëri, në janar të 85-ës, në hapjen e pikës të kalimit kufitar të Kakavijës.