Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka, ka ankimuar ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore“.

Caka u shpreh se, sot në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, bashkë me kolegun Altin Kaziaj depozituan në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin si antikushtetues të ndryshimeve të bëra në ligjin për Vetëqeverisjen Vendore.

“Është një ligj antikushtetues i miratuar nga mazhoranca e mëparshme që fatkeqësisht është dhe mazhoranca aktuale. Në mënyrë të përmbledhur më lejoi të shpjegojë të asaj çfarë përmban ky ligj antikushtetues në gjykimin tonë. Ligji synon të ndryshojë kompetencat e këshillit bashkiak, ligji i vjetër parashikonte tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të pronave publike në favor të të tretëve. Ligji i ri synon ta tjetërsojë këtë kompetencë. Mbi të gjitha tjetërsimi jo vetëm që bën ndarjen e tjetërsimit të dhënies së pronës publike nga dhënia në përdorim, por njëkohësisht synon që këto kompetenca ti bëjë në mënyrë jo transparente, pa kritere dhe çka e bën një praktikë abuzive në duart e kryetarëve të bashkive dhe kryetarëve të këshillave bashkiakë. Ndryshimi i dytë që na shqetëson më tepër është shumica me të cilat kryhet vendimmarrja, ligji i vjetër kërkonte një shumicë të cilësuar, ligji i ri kërkon një shumicë të thjeshtë”, shprehet ajo.