Presidenti Ilir Meta në përfundim të detyrës së tij si president do të rikthehet në partinë që ai vetë themeloi. Pas humbjes të LSI, presidenti Meta njofton edhe të ardhmen e tij pas lënies së detyrës presidenciale.

“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”.

Duke e konsideruar humbjen në zgjedhje të LSI-së si tjetërsim të votave, presidenti Meta thekson se kjo ishte e pritshme, pasi nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.

Meta i përgjigjet edhe deklaratës së Monika Kryemadhit të bërë më herët gjatës ditës së sotme, kur tha se LSI gaboi me strategjinë e djegies së mandateve.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. 

Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”.