Kanadaja pritet të prodhojë vetë vaksinën për Covid-19 deri në fund të këtij viti.

Organet qeveritare bëjnë me dije se kanë nënshkruar një marrëveshje paraprake me kompaninë amerikane Novavax për të prodhuar miliona doza të variantit të saj të vaksinës për Covid-19, në një strukturë në Montreal.

Marrëveshja, e njoftuar të martën nga Kryeministri Justin Trudeau është e para nga disa që po zhvillohen pasi Kanadaja synon të riatdhesojë prodhimin e vaksinave për dekadat e ardhshme.

Sipas tij, është e domosdoshme që Kanadaja të prodhojë vetë vaksinat. Novavax është ende duke kryer teste klinike të vaksinës së saj dhe ditën e premte ka informuar autoritetet shëndetësore kanadeze mbi zhvillimet e fundit.

Aktualisht, Kanadaja ka një marrëveshje me këtë kompani për të blerë 52 milionë doza vaksine nëse variant i saj merr miratimin nga vetë autoritetet vendase.

Ndërsa miratimi shpresohet të jepet brenda disa javësh, prodhimi i vaksinës brenda Kanadasë nuk pritet të ndodhë para vjeshtës.