Mëngjesin e sotëm u përmbyll operacioni ndërkombëtar policor i koduar “NEIKEA”, në kuadër të së cilit janë ekzekutuar 12 urdhër-arreste të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Milanos në Itali, për italianë dhe shqiptarë, mbi të cilët rëndon akuza për veprën penale “Organizatë kriminale, më qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”.

Policia e Shtetit bën me dije se në Tiranë dhe Laç janë arrestuar dy persona, Bledar Coman alias Bledar Kurti dhe Enis Preci alias Enis Uruci.

Këta të fundit pritet të ekstradohen drejt Italisë për t’u përballur me drejtësinë atje.

Operacioni “NEIKEA” ka nisur që nga viti 2016 nga policia e Milanos dhe kishte për qëllim goditjen e organizatës kriminale që drejtohej nga shtetasi italian Luca Guerra që merrej me shitjen e kokainës në Milano.

Luca Guerra është arrestuar në prill të vitit 2016 dhe drejtimin e organizatës kriminale e mori shtetasi Giuseppe Sanfilipo, i cili u arrestua më datë më 25 qershor të 2016, pasi tentoi të vriste  shqiptarin me iniciale M. P.

Në kuadër të këtij operacioni, në nëntor të 2016 është arrestuar në kufirin midis Francës dhe Italisë, korrieri shqiptar i drogës, si dhe janë sekuestruar 8.6 kg kokainë.