Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja deklaroi se në prill të 2022-shit presin plotësimin e strukturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit me 32 hetuesit e grupit të dytë.

Kraja solli në vëmendje se para 2 vitesh ishin vetëm 8 prokurorë, ndërkohë që në janar bëhen 17.

Ai tha gjithashtu se kanë ngritur në SPAK qendrën e përgjimeve dhe laboratorin digjital, ndërsa aksesi në bazën e të dhënave të shtetit shqiptar është arritur.

“Në dy vite ka pasur 891 procedime penale, mbi 400 të pandehur në gjykim dhe 62 vendime konfiskimi me vlerë 75 milionë euro,” – u shpreh kreu i SPAK.

143 letërporosi me autoritetet e huaja, 17 kërkesa për ekstradim nga SPAK dhe 12 skuadra të përbashkëta hetimore me Italinë, Zvicrën, Gjermaninë e Holandën ishin disa nga arritjet që renditi Kraja.

Sipas tij ka pasur skepticizëm për punën e bërë nga SPAK, por sidoqoftë vlerësimi ka ardhur në rritje.

“Ne jemi prokurorë, nuk bëjë as revolucion dhe s’jemi analistë. Ne veprojmë në bazë të ligjit dhe synojmë të ndryshojmë konceptin e pandëshkueshmërisë,” – deklaroi Kraja.

Në ceremoninë e certifikimit të anëtarëve të rinj të BKH-së kanë qenë të pranishëm edhe ambasadorët Yuri Kim dhe Luigi Soreca.

Kim shprehu mbresat nga guximi për të hetuar këdo pavarësisht nga pozita.

“BKH do të zërë vendin e saj përkrahë kolegëve të FBI,” – deklaroi ambasadorja, ndërsa bëri thirrje për të vijuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ambasadori Luigi Soreca tha se do të vijojnë trajnimet për anëtarët e BKH-së. Ai shtoi se është thelbësore që SPAK dhe BKH të punojnë ngushtësisht.