Dy persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e ‘Astirit’, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri drejt një automjeti tip ‘Audi A7’. Për pasojë kanë mbetur të vrarë drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri.

Një nga viktimat, drejtuesi i mjetit është Erigers Mihasi, 32 vjeç eksponent i njohur i botës së krimit. Ai njihet si mik i Ervis Martinajt dhe Santiago Malkos, i ekzekutuar në vitin 2019. Viktima tjetër, pasagjer në automjetin tip ‘Audi’ është identifikuar si Armand Dumani 26 vjeç.

Sipas informacioneve, Erigers Mihasi ishte në kërkim nga policia.

Mihasi dyshohej edhe si person që kishte lidhje me bazën e armatimit në Yrshek të zbuluar pak kohë më parë, por që u shpëtua pasi fajin për këtë bazë e mori Gëzim Haroku.

Gjithashtu, bashkë me këtë shtetas, Mihasi dyshohej se kishte qëlluar me armë ndaj një hoteli në rrugën dytësore Tiranë-Durrës.

Rreth 2 orë pas ngjarjes në zonën e Thumanës është gjendur një makinë e djegur plotësisht, e cila dyshohet se është e autorëve të vrasjes.

Brenda makinës janë gjendur edhe 2 kallashnikovë, armë me të cilat dyshohet se u krye atentati me 2 të vrarë në zonën e Astirit.

Targat e mjetit ‘Toyota’, që u gjet i djegur janë AA 532 ON dhe rezultojnë të vjedhura në Tiranë.

Makina e djegur