Bashkive prej kohësh u janë deleguar disa funksione falë kuadrit ligjor të ndryshuar dhe ngritja e funksionimi i “one stop shop” (qendrave ku merren një sërë shërbimesh) ende nuk është finalizuar prej tyre.

Në një auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) nënvizohet pikërisht ky aspekt çka sipas gjetjeve vështirëson dhënien e shërbimeve për qytetarët. “AMVV, nuk ka arritur të mbështesë sa duhet krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik me synim zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore, gjë e cila shprehet në mos përmbushjen e objektivit për funksionalizimin e zyrave unike të shërbimit (One stop shop), (nga 61 në 49 bashki) si dhe në mos realizimin e disa shërbimeve edhe në bashkitë në të cilat ka filluar zbatimi i projektit.

Nuk ka ndjekur hartimin e VKM-ve në bashkë propozim me ministritë e linjës lidhur me funksionet e reja të cilat u janë deleguar Vetëqeverisjes Vendore, nuk ka realizuar takime bashkëpunimi me ato ministri të cilat kanë decentralizuar funksione, kaluar e shërbime të tyre në bashki të cilat, do kalohen në zyrën “One stop shop ”” thuhet në dokument.

Po kështu konstatohet se nuk janë organizuar takime me kryetarët e bashkive apo konferenca me bashkitë, gjë që ka sjellë mungesën e një database për problematikat dhe përvojat sipas njësive vendore lidhur me funksionet e deleguara, krijimin e standardeve të tyre si një sistem unik kombëtar dhe përmirësimeve të mëtejshme në legjislacionin përkatës.

Sa i takon kësaj KLSH ka rekomanduar që Agjencia e Mbështetjes së Vetëqeverisjes Vendore të verifikojë se cilat funksione dhe kompetenca nuk kanë kaluar ende në pushtetin vendor sipas Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” dhe mbi këtë bazë të programohet dhe të bëhet kalimi i tyre në Njësitë e qeverisjes vendore.

Së dyti AMVV gjatë hartimit të VKM-ve me bashkë propozim me ministritë e linjës, lidhur me funksionet e reja të cilat janë deleguar Vetëqeverisjes Vendore, duhet të realizojë takime bashkëpunimi me ato ministri të cilat kanë kaluar apo decentralizuar funksione të tyre në bashki të cilat, shërbimet e tyre do kalohen në zyrën “One stop shop”

Së treti agjencia duhet të marrë masat për krijimin e një database për problematikat dhe përvojat sipas njësive vendore lidhur me funksionet e deleguara, krijimin e standardeve të tyre si një sistem unik kombëtar dhe përmirësimeve të mëtejshme në legjislacionin përkatës.