Për të gjashtën ditë radhazi në Shqipëri nuk ka ndërruar jetë asnjë person i prekur nga koronavirusi, ndërsa edhe shifrat e tjera janë tepër shpresëdhënëse për një verë mjaft të qetë.

Në raportim e së dielës nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se aktualisht në Shqipëri janë vetëm 264 raste aktive me koronavirus, përkatësisht: Tiranë 65, Shkodër 55, Berat 35, Korçë 33, Lezhë 25, Elbasan 16, Vlorë 11, Gjirokastër 10, Durrës 4, Kukës 4, Fier 4, Dibër 2.

Fatmirësisht, edhe në spital situata është e qëndrueshme ku janë të shtruar 28 persona, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, ndërsa nuk ka asnjë të intubuar.

Që prej fillimit të pandemisë, në Shqipëri janë infektuar 132379 persona, nga të cilët kanë ndërruar jetë 2451.

Pak ditë më parë, për A2, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u shpreh optimist për të ardhmen dhe se sipas tij, po shkojmë drejt fundit të pandemisë. Referuar numrit të lartë të personave që e kanë kaluar koronavirusin si dhe të të vaksinuarve, për infeksionistin Pipero stina e verës do të jetë e qetë në lidhje me pandeminë.