Partia Demokratike ka denoncuar procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetar në Autoritetin e Medias Audiovizive.

Në një dalje për mediat, Albana Vokshi ka akuzuar kryeministrin Rama se ka paracaktuar në detyrën e kryetares së AMA-së zëdhënësen e Partisë Socialiste.

“Autoriteti i Medias Audiovizive, një institucion që sipas ligjit duhet të jetë i pavarur, po i jepet në dorë Kryeministrit dhe regjimit të tij që nuk e fsheh armiqësinë ndaj lirisë së medias.

Në garën për kreun e AMA, me pseudo-kandidatë nëpunës shtetërore pa asnjë eksperiencë në fushën e medias apo fushat që përcakton ligji, në shkelje të afateve ligjore, Edi Rama ka paracaktuar zëdhënësen e tij dhe te PS për këtë post.

Edi Rama, urdhëroi kandidatët e listës së PS në zgjedhjet e fundit, në Komisionin Parlamentar tē Medias, të votonin për Armela Krasniqin duke shkelur hapur ligjin dhe specifikisht nenin 7 dhe 8 që përcaktojnë papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesave”, u shpreh Vokshi.