Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se partia e tij, në raundin e balotazhit fitoi në pesë komuna.

Ai tha se ky rezultat dëshmon se populli i Kosovës refuzon modelin e sundimit nga një njeri.

“Pas këtyre zgjedhje tashmë skena politike në Kosovë ka ndryshuar. Nuk ka më një forcë politike dominuese siç ishte tetë muaj më parë. Populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje sepse populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën modelit të sundimit nga një njeri”, tha Krasniqi para mbështetësve të partisë së tij në Prizren.

Krasniqi shpalli fitoren në Prizren, Drenas, Vushtrri, Kaçanik, Dragash dhe tha se partia e tij ka fituar në total nëntë komuna në dy raundet e zgjedhjeve lokale.

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të fitojë vetëm një nga katër komunat më të mëdha në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur një fitore të madhe duke marrë drejtimin e Prishtinës me kandidatin, Përparim Rama.