Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, refuzoi ftesën zyrtare greke për të marrë pjesë në Samitin e Athinës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për t’u konsultuar midis tyre dhe me zyrtarët më të lartë të Këshillit Evropian, rreth inkuadrimit në familjen evropiane. Çuditërisht, kreu i Shtetit Shqiptar e bojkotoi këtë ftesë, duke bojkotuar njëkohësisht përpjekjen shumëvjeçare të vendit të tij për t’u përfshirë në familjen evropiane – ëndrra dhe dëshira e parë e shqiptarëve pas diktaturës.
Kush ia dha këtë të drejtë kreut të shtetit shqiptar?! Kushtetuta, jo se jo! Mos vallë krahu tjetër i pushtetit, ai ekzekutiv – Kryeministri? Po ç’punë ka Presidenti me Kryeministrin?! Presidenti është një pushtet ligjvënës i pavarur nga forcat politike të vendit, sikundër është edhe Drejtësia. Presidenti është figurë uniteti për të gjithë, jo servili dhe zbatuesi i dëshirave të njerës forcë politike, qoftë ajo në pushtet. Aq më keq atëhere! Ç’mund të presë prej tij bashkësia tjetër e forcave politike? Si mund të bashkëpunojë me të opozita, për të mirën e vendit? Loja politike në këtë rast është e stisur mbrapsht qysh në fillim dhe nuk mund të bëhet fjalë për shtet ligjor dhe demokraci.
“Presidenti i gafës” – më vjen në mendje kërkesa e tij e pa precedentë botërisht për heqjen e flamurit etnik grek nga bashkitë minoritare të vendit – goditi përsëri, në të njejtën tabelë, atë që i kanë stisur përpara. Me të njejtën çifte që disponon dhe di të përdorë ky ish ushtarak i lartë i karierës, atë që i fali Kryeministri, shefi i tij shpirtëror dhe ekzekutiv. Më e çuditshmja është se kur i kërkohet një deklaratë publike për mediat rreth këtyre vendimeve apo opsioneve politike, Presidenca përgjigjet gjithmonë me të njejtin sllogan, aspak demokratik: “No coment!” Doemos, komentet i bën Kryeministri, përse “të lodhet” me këtë punë Presdidenti! Le që ky i fundit ka një prirje të theksuar për… gafa.
Është për të ardhur keq, që ky realitet i mbrapshtë na detyron të nxjerrim një konkluzion kaq të 0 dhe oportun: më mirë “marrëzitë” e të mëparshmit, që i bënin dëm më shumë vetes së tij, sesa “gafat” politike të këtij të tanishmit, që dëmtojnë rëndë shtetin që drejton dhe popullin e vet0.
Sa për të gjithë ata adhuruesit e cubllëkut kombëtar – dhe, fatkeqësisht dhe dëshpërueshmërisht shfaqen shumë, si këpurdhat apo kërminjtë pas shiut – të cilët duartrokasin dhe janë të kënaqur me “qitjet bosh” të pushtetarëve të tyre, duhet ta dinë: janë përgjegjësit ekskluzivë të fatit të sotëm dhe të nesërm të fëmijëve dhe nipërve e mbesave, në Atdhe dhe jashtë. Gurët që të gjithë bashkë i venë qerres shqiptare që është nisur për Evropë, një ditë do të paguhen shtrenjtë, prej atyre që nuk kanë asnjë faj. Thjesht ngaqë etërit folklorikë të tyre kishin kunguj të zbrazur, në vend të kokave. Njerin prej tyre, madje, e kanë ngulur tek poltrona e kreut të shtetit.

Grigor JOVANI

Athinë, 20 gusht 2023