Shtëpia e Bardhë iu përgjigj presidentit rus Vladimir Putin, i cili kërkoi të debatonte publikisht me presidentin Biden duke thënë se homologët do të takohen “kur të jetë koha e duhur”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve të premten se Presidenti Biden “nuk do të tërhiqet. Ai do të jetë shumë i sinqertë dhe shumë i hapur rreth këtyre marrëdhënieve”.

“Presidenti Biden dhe Presidenti Putin kanë këndvështrime të ndryshme të vendeve të tyre përkatëse, por ata janë dakord se ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të punuar së bashku atje ku është në interesin tonë të përbashkët”, shtoi ajo.

Dy ditë më parë, Biden ka kritikuar në mënyrë të fortë politikën e Kremlinit, duke e cilësuar presidentin rus Vladimir Putin si një vrasës. Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se “Putin do të paguajë një çmim të lartë për tentativën e ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane të vitit 2020”.

Pas këtyre deklaratave, ka reaguar dhe kreu i shtetit rus i cili tha se ishte gati të bisedonte publikisht përmes internetit me Biden, rreth marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara si dhe çështje të tjera të tilla si konfliktet rajonale.

Putin tha gjithashtu se komentet e Presidentit amerikan Joe Biden pasqyrojnë problemet që Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht apo kanë patur në të shkuarën.

I pyetur se çfarë përgjigje do t’i jepte Presidentit amerikan Biden lidhur me deklaratën e tij, Putin tha se kur ishte fëmijë i përgjigjeshin fyerjeve me një shprehje:

“Ato çfarë thua për të tjerët, pasqyrojnë atë që je ti vetë. Qofsh me shëndet, i uroj të jetë mirë dhe e them pa ironi apo shaka”, deklaroi Putin.

Presidenti Biden po mban një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë dhe ka thënë se ditët kur SHBA “bënin atë që donte Putini” kanë marrë fund.