Kryeministri Edi Rama përsëriti edhe njëherë thirrjen ndaj opozitës që të mos shkojë pas ish-kryeministrit Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rama u tha deputetëve të PD-së që “të mos shkojnë pas të vdekurit”.

Sa i përket çështjes së Presidentit kreu i qeverisë tha se PS është e gatshme të konsultohet me opozitën dhe nëse do të japin kandidaturë që do të jetë bindëse, mazhoranca do ta votojë pa asnjë problem.

Për ndryshimet kushtetuese të 2008, Rama tha se “10 herë do bëja të njëjtën gjë për të shmangur që një i vdekur të merrte peng gjithë dynjanë këtu, për të shmangur këtë dhe atë që ndodhi në 2007 që ishte një tjetër skandal”.

“Dua të rikthehem aty ku e nisa dhe më vjen mirë që të paktën në gjithë këta zëra, ca nga bota tjetër, ca nga përshpirtja mbi kufomën e botës tjetër, u dëgjua një zë nga kjo botë. Një zë që bëri sens në diskutim. Kështu që po i referohem zotit Mediu sepse është me rëndësi që të vihen disa pika mbi “i” për ato që u thanë për procesin. Me shpirtrat e vdekura, të lira, quajeni si të doni. Nuk është fare fusha ime. Zoti Mediu faleminderit që e kujtuat këtu që në 2002 presidenti u zgjodh me konsensus.

Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët dhe kjo nuk diskutohet, por me të vdekurit nuk bashkëpunojmë dhe kjo nuk diskutohet. Dua të them shumë qartë, ka të vdekur që janë gjallë të cilët i kemi yje që na udhëheqin në rrugën e jetës sonë sepse janë të përjetshëm. Ka të gjallë që janë të vdekur. Një pjesë janë të vetëdijshëm dhe tërhiqen në perëndimin e tyre dhe kryejnë ritualin e të jetuarit me njerëzit e tyre. Ka disa që nuk janë të vetëdijshëm që kanë vdekur.

Kështu që patjetër është e drejta juaj, është liria juaj që mund të zgjidhni të vdekurin për të prirë, por ne kemi të drejtë të refuzojmë çdo komunikim me të gjallët që janë të vdekur dhe që kutërbojnë në mes të skenës politike. E keni këtë hall më prezent në mes të shtëpisë, por ne e shikojmë këtë si thjesht parimor. Nuk diskutohet kjo, ndërsa pjesa tjetër është këtu dhe ne do të bëjmë përpjekjen tonë.

Në tre raundet e para kërkohet konsensus. Po ju them që në 3 raundet e para do kërkojmë një President që të marrë dhe votat e opozitës. Në mos të gjitha, një pjesë të tyre. Nga ana tjetër do t’u lutesha shumë që të paktën për këtë proces të silleni, jo ju personalisht, por po u drejtohem shpirtrave, të paktën për këtë proces të sillen me respekt dhe t’i lenë fyerjet dhe sharjet. Unë nuk fyej, në rast se flas për të gjallë që kanë vdekur konstatoj një rast. Prandaj po them respektoni këtë proces, mos shkoni në këto ekstreme dhe mos vazhdoni të bëni atë që bëni gjithmonë.

Ai që mungon këtu për 8 vite përsëriti të njëjtën gjë. Është qesharake që flisni sikur jeni me imunitet nga ambasada amerikane dhe jepni leksione këtu. E kuptoj që diku do kapeni, kapuni pas flamurit të PD se flamurin amerikan ka kush e kap, e kapin amerikanët. Kapni flamurin e PD dhe mundohuni ta ngrini se keni bërë si ato çarçafët e shtëpive të qejfeve që nuk dihet kush i tund dhe kush i shkund. Mos na trego ne nga çfarë duhet të distancohemi. Dimë shumë mirë se çfarë bëjmë. Këto lojërat e brendshme këtu me flamuj amerikanë ju bëjnë vetëm qesharakë.

Nuk kemi asnjë arsye t’ju bëjmë juve reveranca. Ne jemi këtu, jemi gati, por nuk na mbani dot në vend ne. Ne do të vazhdojmë drejt sepse kemi zgjedhur të udhëheqim. Doni të kontribuoni për zgjedhjen e Presidentit? Bujrum. Nuk kemi asnjë arsye që ta bëjmë që të dukemi ndryshe, jo. Nëse do kishim sot bindjen për një kandidaturë do e kishim bërë publike. Por nuk e kemi.

Nuk ka krim të organizuar, nuk ka strukturë kriminale që të merr peng si gënjeshtra jote kur thua që jemi këtu 5047 veta dhe vendos aty që edhe kallinjtë e misrit i numëronte 5-fish se ia kërkonin për rritjen e bujqësisë me 2 shifra. Ne nuk duam të hymë nga këto. Ku e keni atë që mungon këtu? A ia kisha thënë? Sa herë ia kisha thënë? Dhe ia kisha thënë kur ishit të tërë bashkë. Po ua them prapë, mos shkoni pas të vdekurit. Si me të vdekurin si pa të vdekurin ne nuk na mundni dot. Arsyet jua kam shpjeguar, do ua shpjegoj prapë sa herë që të jetë nevoja se ju jetoni në mohim, jo të pranoni realitetin.

Më keq akoma kur i vdekuri del, ju udhëheq dhe thotë që unë jam gjallë ka vdekur Amerika, se ka rënë në dorën e ku di unë se kujt, është më keq se numërimi mbrapsht. Ai që iku po të kishte dëgjuar pak me vëmendje, jo mua, por zërin e arsyes do ishte këtu akoma. Tani po ju them juve mos shkoni pas të vdekurit, mos e merrni lehtë. Mos u nisni nga fakti që do mundni shpirtin e lirë. Kam dëgjuar se po i bashkoheni si zogjtë e korbit një nga një. Do bëheni aq qesharakë. Kam një shqetësim tjetër që nuk do e kuptoni dot asnjëherë. Shqetësimi tjetër i imi është që ne këtu nuk jemi për partitë tona, partitë tona janë për vendin tonë dhe ju jeni pjesë e vendit tonë. Mos ia lini Shqipërisë gurin në qafë me të lyer bardheblu. Për të tjerat vazhdoni se ne këtu jemi. Për presidentin bujrum do të bëni gjitha konsultimet e nevojshme me ne nëse do të jepni kandidaturë që do të jetë bindëse ne do ta votojmë pa asnjë problem. Po ua them sot, nuk do të gjedhim president nga grupi parlamentar i PS, por një president që është më shumë se sa pjesa e shumicës. Nëse na ndihmoni për këtë do bëni një punë të mirë për vendin, ndërkohë që çdo ditë bëni punë të këqija për këtë vend”, tha Rama.