Sipas kryeministrit Edi Rama, Tirana dhe Durrësi brenda 10 vitesh do të jenë një. Ai u shpreh gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Durrësit se perspektiva e qytetit bregdetar është fantastike dhe është në rrugën e duhur. Kryeministri deklaroi se këto dy qytete po shkojnë drejt metropolit dhe si të tillë, të dy sëbashku do të jenë kryeqyteti i Shqipërisë.

“Tirana dhe Durrësi sot nuk janë ata që ishin. Tirana dhe Durrësi janë dy zonat që janë rritur në popullsi dhe që janë rritur në ndërtime dhe që kanë futur tubat në të gjitha ato instalimet dhe marrin e thithin, është njësoj si ti vesh një trupi tre zemra e katër zemra dhe t’i thuash funksiono tani me gjakun që ke. Si do funksionojë? Vetëm me një mënyrë funksion me programin e PD-së. Që të ketë më shumë zemra dhe me të njëjtën sasi gjaku të pompojë njësoj. Kështu që për Durrësin unë shoh një perspektivë shumë të rëndësishme sepse duam s’duam ne, gjëja po vjen vetvetiu drejt metropolit. Tirana dhe Durrësi mund të jenë dy bashki gjithmonë, por Tirana dhe Durrësi shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, brenda një dekade do të jenë një. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka asnjë mënyrë. Ky është destinacioni dhe ne duhet të punojmë me këtë destinacion që ta shohim të lidhur në një zonë. Ky do të jetë kryeqyteti i Shqipërisë, Tiranë-Durrës. Pastaj quhen qytet të ndryshme, por absolutisht do të jetë një në 10 vjet. Nuk ka ku shkon. Perspektiva e Durrësit është fantastike. Ne jemi në rrugën e duhur për këtë. Besoj që do bëjmë gjënë e duhur”, tha Rama.

“Kemi ndryshuar në sytë e botës”, Rama: Durrësi do të kthehet në marinën më të madhe në Mesdhe

Porti i ri i Durrësit do të sjellë një perspektivë të re jo vetëm për qytetin bregdetar, por për gjithë Shqipërinë. Është ky mendimi i kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët tha se një nga kompanitë më të mëdha në Lindjen e Mesme e ka dorëzuar projektin për fazën e parë të portit.

Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak se Shqipëria ka ndryshuar në sytë e botës. Sipas Ramës, porti i ri që do të ndërtohet do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Mesdhe.

“Një nga kompanitë më të mëdha që ka operuar në Lindjen e Mesme që jo vetëm ka shprehur dëshirën, por ka dorëzuar edhe projektin e fazës së parë të portit të Durrësit, kjo vjen sepse Shqipëria ka ndryshuar në sytë e botës. Kjo është, pak por e sigurt. Çfarë do thonë raportet ndërkombëtare që në sytë e tyre janë shumë më të mirë, dhe ato që kanë problematika se sa ç’ishin 7 vite më parë, ka një puls që është pulsi më i sigurtë për të shikuar ku ndodhet vendi në këtë vend, që është pulsi i investitorëve. Nuk pritej që një kompani e tillë të vinte edhe ata thonë marina më e madhe e Mesdheut, por unë them një ndër më të mëdhatë të Mesdheut. Më parë kjo nuk mendohej. Ideja për të bërë një marinë pranë portit të Durrësit ka qenë e vjetër që është përsëritur herë pas here”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, qyteti i Durrësit ka nevojë që të çlirohet nga gjithë aktiviteti që vjen nga porti aktual.

“Është e domosdoshme që ndërkohë që zemra e qytetit çlirohet nga gjithë ai aktivitet dhe problematika të natyrës mjedisore që ai aktivitet krijon, të hapë me patjetër perspektivën, jo vetëm për zhvillimin, por rritjen e atij aktiviteti. Kapacitetet e portit aktual janë ato që janë. Sot ne duhet të shohim perspektivën e portit të mallrave në Durrës i të lidhur me ambicien për të pasur një port më të rëndësishëm nga pikëpamja e vëllimeve që administron, por për ta pasur të lidhur edhe me një hapësirë të aktivitetit ekonomik që në zemër të qytetit është i pamundur”, tha Rama.

Porti i ri ka vite që është si ide. Megjithatë kanë qenë të shumta arsyet se pse nuk janë finalizuar sipas Ramës. Kryeministri u shpreh se qeveria është duke vlerësuar propozimin konkret për portin e ri.

Por çfarë do të ndodhë me kompanitë që kanë kontratë në portin e vjetër?

Sipas Ramës, qeveria ka të drejtën e saj që të ndërtojë një port të ri. Megjithatë ai shtoi se shteti do t’i qëndrojë marrëveshjeve që ka me kompanitë aktuale.

“Nga ana tjetër, shteti shqiptar ka detyrimin të respektojë këto kontrata dhe gjithë veprimtaria që zhvillohet sot në port është me veprimtaria që ka nevojë një port tregtar. Të njëjtën veprimtari do të ketë edhe porti tjetër, që do të thotë se kompanitë do të lëvizin me të njëjtat kushte, por porti i ri do të jetë me një proces zhvillimi shumë më të madh”, tha Rama.

Sipas Ramës projekti do të jetë i lidhur edhe me aktivitetin e hekurudhave. Ai shtoi se puna për hekurudhën Tiranë-Durrës është gati të nisë ndërkohë që po pritet të miratohet një pjesë e fondit për disa hekurudha të tjera. Kryeministri u shpreh se porti aktual nuk konkurron dot me të tjerët në rajon.

“Në portin tjetër, kufiri do të vendoset më larg dhe porti tjetër do të jetë i lidhur me aktivitetin e hekurudhave. Hekurudha Tiranë-Durrës është gati për të filluar puna në kantier. Presim të na miratohet një pjesë e fondit për një hekurudhë, Durrës-Hani i Hotit, plus projekti për hekurudhën Durrës-Prishtinë e më tej. Na duhet të jetë një port i gatshëm për dekadat e ardhshme. Ky port nuk e bën, mund t’i ndërtosh hekurudha afër, por nuk e bën konkurrent me ata përballë”, tha Rama.