Këshilli Special i OSBE-së ka nisur mbledhjen këtë të premte në Vjenë për të diskutuar rreth krizës në Bjellorusi. Fjalën i pari në këtë takim e ka mbajtur kryeministri Edi Rama, si drejtues i OSBE-së, për shkak se Shqipëria është në drejtimin e organizatës.

Kryeministri tha se OSBE-së nuk i takon të marrë anë në këto momente dhe roli i saj duhet të jetë për lehtësimin e komunikimit mes palëve dhe jo ndërmjetësimin.

“Dua të bëj disa gjëra të qarta. Sado të forta të jenë opinionet që kemi nëse duam të luajmë këtë rol konstruktiv nuk na takon të ndërhyjmë në çështjet e brendshme mes autoriteteve të larta të Bjellorusisë dhe shoqërisë që ka dalë në rrugë. Sado të forta mund të jenë ndjenjat që ne si individë mund të kemi ndërkohë që shohim këto skena nuk na takon ne të marrim anë. Së treti ne nuk po kërkojmë dhe as nuk duhet të kërkojmë rolin e vjetëruar të ndërmjetësimit mes dy palëve. Thjesht duam të ndihmojmë Bjellorusinë si një prej nesh në këtë moment mjaft kritik”, tha Rama që shtoi se oferta që OSBE bën është që të bëhet lehtësues i komunikimit në mënyrë që Bjellorusia të dalë nga kjo vështirësi.

Kreu i qeverisë tha se situata është shumë e rëndë, por OSBE nuk duhet të imponojë asgjë ndaj Bjellorusisë dhe kriza duhet zgjidhur në Minsk mes palëve atje.

“Oferta shkon përtej Bjellorusisë. Ne të zhvillojmë brenda organizatës një lloj mjeti për funksionin e lehtësimit më pozitiv. OBSE është e mirëpozicionuar për të mbështetur lehtësimin e dialogut. Duhet të ketë dialog mes qeverisë dhe forcave të radhitura ndaj saj. Ne mund të ndihmojmë, por nuk mund ta zgjidhim këtë, duhet zgjidhur në Minsk.

Në këtë moment nuk ka aspak dialog, nuk ka një mënyrë si vendi të kalojë këtë krizë. Në cilësinë time si kryetari i OSBE-së dhe kryetaren e ardhshme, mbetem i gatshëm që ta lehtësojmë këtë mundësi. Shpresojmë që të ketë një përgjigje pozitive nga qeveria e Bjellorusisë. Ne nuk jemi të motivuar përpos nga dëshira për të ndihmuar, kjo nuk është imponim mbi Bjellorusinë”, tha Rama.