Edi Rama nuk i kufizon përmasat e bashkëpunimit me Lulzim Bashën në mandatin e tretë, por ama i kushtëzon ato.

“Sikur PD të thotë jemi gati që anglisht mos e shajmë më Shqipërinë, do më jepte motivimin që së bashku me të tjerët t’i ktheheshim me një kundërofertë të fuqishme. Sikur të na japin fjalën solemnisht fjalën që nuk do e shajmë më Shqipërinë në anglisht”, tha ai.

Kryeministri, që njoftoi përbërjën e kabinetit të ri dhe shkundi strukturat drejtuese të Partisë Socialiste ishte i ftuar në Opinion, ku la të hapur edhe mundësinë e mbajtjes së parakohshme të zgjedhjeve të reja lokale, por përmes lojëve të fjalëve la të kuptohet se kjo mund të arrihet përmes një vizioni.

“Për çfarë arsye duhet ta bëjmë ne një gjë të tillë, nëse një gjë e tillë nuk është pjesë e një vizioni dhe një pune të përbashkët jo për t’u bërë njësh, por për gjërat që mund të jemi bashkë me interes kombëtar”, vijoi ai.

Duke komentuar lëvizjet brenda PS-së, ai i cilësoi mediatike termat “Senatorë”. Rama tha se në PS nuk ka të tillë, por ka një skuadër. Kryeministri argumentoi lëvizjen e Taulant Ballës, deputetit më të votuar në Kuvend me ngarkesën e madhe që ai do të ketë si kryetar i grupit parlamentar.

Në lidhje me refugjatët afganë, Kryeministri u shpreh se shpenzimet për strehimin e tyre mbulohen nga Qeveria amerikane, ndërsa për Ballkanin e Hapur pranoi se ka mosdakordësi të thella me Albin Kurtin, por këmbënguli që nismës do t’i shkohet deri në fund. Këtu ai zbuloi një detaj, sipas të cilit nisma është propozuar që në takimin e Parisit në kuadër të Procesit të Berlinit, ku atëherë ka qenë Aleksandër Vuçiç që e refuzonte.