Nga Shkodra ku sot ka vijuar fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit, Edi Rama ndër të tjera ka shpjeguar edhe arsyet përse Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë qeverisës.

Rama tha se nuk e kërkon për vete mandatin, por që punët e nisura të përfundohen nga socialistët.

“Mandati ynë i tretë nuk është për mua personalisht për është që të gjitha këto baza që janë vendosur dhe të gjitha këto punë dhe beteja të mos ndërpriten por të shkojnë drejt fundit me sukses dhe Shqipëria të shkojë në një nivel tjetër dhe pastaj të vazhdojë në nivele të tjera. Mandati i tretë sot për ne është vendim i popullit për të mos kthyer prapa në histori. Është mandat për të afirmuar kthesën që tanimë po merret. Dhe për të mos lejuar që të shkojë prapë mbrapsht. Nëse shumica është e vendosur të vazhdojë këtë rrugë me shumë punë, ne do ja dalim ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë. Jam i bindur që ne nuk do ta lejojmë kthimin mbrapa”, tha ndër të tjera kryesocialisti Edi Rama.

Akuza hodhi kundër Bashkisë Shkodër duke thënë se ka bllokuar projektet.

“Për të mbështetur Shkodrën ne i kemi ardhur vërdallë kufijve të vendosur nga një Bashki qorre, që është shembulli më drithërues i injorancës, prapambetjes, inercisë, duke shkuar qorrazi drejt të ardhmes.

I kemi ardhur rrotull dhe kemi ndërtuar rrugën Shkodër-Velipojë, një rrugë turistike që ishte një premtim dembabadem i të gjitha herëve që PD ka ardhur këtu për të marrë votën dhe që nuk u ndërtua kurrë. E ndërtuam ne, duke i ardhur rrotull se nuk merrnim dot leje në bashki.

Nuk i prishet fare terezia asaj kryetares së Bashkisë se çfarë ndodh me plehrat. Shkodra është qyteti më i pistë i Shkodrës, ku nuk mblidhen plehrat. Është qyteti me më shumë gropa në vend. Këtu është qytet që ka mbetur ora. Por, punët e veta edhe kryetarja e bashkisë, edhe ata të shpurës së PD, që venë e vinë sa këtu sa në Tiranë për të bërë deputetin e Shkodrës, i kanë në terezi. Lufta që bëjnë sot është prapë për punët e tyre, jo për punët e Shkodrës apo të Shqipërisë”, tha Rama.