Policia ka shpallur në kërkim dy djemtë e ish-deputetit Tom Doshi.

James dhe Markos Doshi, përkatësisht 22 dhe 20 vjeç, janë shpallur në kërkim pasi kanë rrahur një punonjës policie në Tiranë.

Ata akuzohen se kanë goditur, kundërshtuar dhe nuk i janë bindur urdhrit të Policisë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Mbi të rinjtë rëndojnë akuzat: plagosje e rëndë me dashje, goditje për shkak të detyrës, mos-bindje e urdhrit të policisë dhe prishje e qetësisë publike.

Për të njëjtat akuza policia ka ndaluar një 34-vjeçar që shoqëronte djemtë e ish-deputetit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Gjithashtu, shpallën në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit M. D., 20 vjeç dhe J. D., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Ismail Qemali”, kanë goditur me sende të forta shtetasin R. S., 38 vjeç, dhe më pas nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por i kanë kundërshtuar ata, duke i goditur për shkak të detyrës. Shtetasi E. L. është vënë në pranga, ndërsa shtetasit M. D. dhe J. D. janë larguar. Vijon puna për kapjen e tyre“, njofton policia.