Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e biznesmenit shqiptar në Greqi Xhani Topalli, pasi pronari i një hoteli ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka rrëfyer si ndodhi vrasja.

Sipas mediave greke, 53-vjeçari është takuar me biznesmenin shqiptar  në vitin 2014, kur ata kishin një partneritet.

Në vitin 2019, 46-vjeçari ka marrë përsipër rinovimin e hotelit të autorit (të vrasjes), duke rezultuar në një borxh rreth 75 mijë euro. Mbrëmjen e së dielës, viktima, që dyshohet të ketë qenë i dehur, ka shkuar në hotelin e 53-vjeçarit.

Autori pretendon se 46-vjeçari po i bënte presion për paratë dhe se kishte shkuar shumë herë në hotel nën efektin e alkoolit, duke u bërë mjaft shqetësues. Të dielën në mbrëmje, kontraktori, siç pretendon autori, ka shkuar në hotel nën efektin e alkoolit dhe ka filluar të konfliktohet me të dhe më pas ka sulmuar djalin e tij.

Më pas, sipas gjithçkaje që pretendon autori, ka dalë përpara, për të mbrojtur djalin e tij nga goditjet dhe ka nisur sherri mes tyre. Më pas, i shtyrë nga instinktet e tij ka kapur një litar të cilin ia ka shtrënguar viktimës në qafë për ta vënë nën kontroll dhe e ka hedhur në tokë. Në këtë moment duket se ka ndodhur vdekja e biznesmenit shqiptar, shkruajnë media greke.

Së bashku me të birin e kanë zhveshur, i kanë hedhur rrobat dhe trupin e kanë çuar në rrugë ku është gjetur nga policia.