Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Falë këtij bashkëpunimi dhe shkëmbimit të informacionit është kapur në Greqi, një tjetër i kërkuar për vrasje të dyfishtë.

Si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, bazuar në shkëmbimin e informacionit të grumbulluar nga strukturat e Policisë së Shtetit, mbi vendndodhjen e mundshme të një personi të kërkuar për vrasje të dyfishtë, u bë i mundur arrestimi në Greqi i shtetasit shqiptar Jorgo Leku alias Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou, 41 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Gjirokastër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, më datë 12.06.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Më datë 15.08.2012, në lagjen “Çlirimi”, Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Aridan Meta alias Gentian Beqiri, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe të atin e tij Nezir Beqiri.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Athinën, vijon procedurat e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.

Në foto: Gentian Beqiri dhe babai i tij Nezir Beqiri