Cristiano Ronaldo thotë që redaktori i “France Football”, Pascal Ferré, ka gënjyer kur deklaroi që sulmuesi portugez e ka fiksim që të mbyllë karrierën me më shumë Topa të Artë sesa Lionel Messi.

Ferré, i cili është edhe njeriu që organizon ceremoninë dhe dorëzon trofeun prestigjioz individual, tha për “New York Times” se këtë informacion e kishte marrë nga një bisedë private me Ronaldon. “Ambicia e tij e vetme është të tërhiqet nga futbolli me më shumë trofe se Messi. E di këtë, sepse ma ka thënë vetë”, tha Ferré.

Ronaldo, i cili nuk u paraqit në ceremoninë e së hënës, ku u rendit i gjashti, duke mbetur jashtë treshes kryesore për herë të parë që prej vitit 2010, postoi një mesazh në Instagram ku përgënjeshtronte deklaratën e gazetarit.