Projektligji për Amnistinë Fiskale u kritikua së fundmi edhe nga Shoqata shqiptare e Bankave, për krijimin e kushteve për pastrimin e parave. Në një mendim dërguar Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, dhe publikuar nga Shqiptarja.com,  Shoqata e Bankave kërkon lëshimin e një vërtetimi nga Njësia Speciale e Tatimeve për shumën e parave që do të deklarohen, në mënyrë që bankat të mos kërkojnë justifikim për krijimin e tyre.

“Mendojmë se Njësia Speciale duhet të lëshojë një vërtetim, me të cilin prezumohen të kryera prej tyre detyrimet e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji dhe banka nuk do të kërkojë informacione apo dokumentacione lidhur me justifikimin e krijimit të fondit që do të depozitohet”, shkruhet në vërejtjen e drejtuara Kuvendit.

Shoqata, gjithashtu kërkon të saktësohet në ligj informacioni mbi burimin e parave që do t’i jepet bankave të huaja në rast transferte.

Përveç Shoqatës së Bankave edhe institucionet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimit e tyre mbi mundësinë e pastrimit të parave.

Kështu:

Delegacioni i BE-së në Tiranë i ka kërkuar qeverisë të mos lejojë amnistinë e parave duke u transportuar me çanta por vetëm përmes transfertave bankare. Nëse paratë transportohen fizikisht nga vetë personi ato duhet të deklarohen në kufirin e vendit nga dalin.

Pas një vizite zyrtare në Tiranë, në 1 korrik, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një deklaratë zyrtare, u shpreh se ky ligj krijon kushte për pastrimin e parave dhe godet bizneset e ndershme.

FMN theksoi se vendi ka nevojë së pari të ngrejë sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion, dhe jo për t’i nxitur edhe më shumë ato.

Më 1 gusht, Komisioni i Ekonomisë njofoti shtyrjen për në shtator të shyrtimit të projektligjit e aministisë fiskale. Kryetarja e Komsionit, Milva Ekonomi pohoi se për shkak disa sugjerimeve dhe kërkesave, kërkohej më shumë kohë për ta shqyrtuar këtë projekligj.

“Besoj qe për të gjithë ne do ishte më e vlefshme që miratimi nen për nen dhe në tërësi për këtë projektligj të kalonte disa javë më vonë sepse ka nevojë për reflektim dhe përshtypje nga të gjithë palët, sidomos nga palët që janë zbatues, nga bankat tregtare të nivelit të dytë”.