Një automjet ka shpërthyer në flakë paraditen e kësaj të marte në zonën e Kamzës. Mjeti ka qenë i parkuar dhe shpërtheu sapo u afrua shoferi.

Në momentin kur drejtuesi i quajtur Gjon Mena shkeli pultin komandues për të hapur makinën, mjeti ka shpërthyer.

Policia dyshon se brenda makinës ishte vendosur eksploziv dhe ishte lidhur me paketën qendrore të automjetit.

Nga shpërthimi ka mbetur i plagosur lehtë pronari i makinës. Ai është dëmtuar në këmbë, por gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat policore dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të së kaluarës së pronarit të mjetit, Gjon Mena. Sipas informacioneve policore, ky i fundit është person me precedent penal. Të njëjtat burime bëjnë me dije se Gjon Mena ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje në vendin tonë.

Informacioni paraprak i Policisë së Tiranës:

Më datë 09.02.2021, rreth orës 10:00, në Kamzë, në rrethana ende të paqarta, në momentin që drejtuesi i automjetit është afruar dhe ka shkelur pultin ka shpërthyer, dyshohet si pasojë e lëndës plasëse mjeti i parkuar me drejtues shtetasin Gj. M., i cili  është lënduar lehtë në këmbë pa problem për jetën.

Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ku vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.