Përdorimi i hashashit është kthyer në një nga ankthet më të mëdha të policisë së kryeqytetit ku nuk mbetet pas edhe kokaina që nga droga e artistëve dhe të pasurve është kthyer në një drogë të zakonshme që e gjen edhe në periferi. Përditë, adoleshentë e të rinj shoqërohen me doza të papërfillshme marijuane dhe më pas ata fitojnë lirinë, pasi ekspertiza në gjak dhe urinë tregon mbetje të bimës narkotike. Por ka edhe raste kur aksione rutinë në rrugë ndaj të rinjve që çdo ditë u gjenden doza hashashi ndër xhepa, ka përfunduar me rrezikimin e jetës së efektivëve. Një grupi kontrolli me agjentë të antidrogës që pasi kapën një të ri me hashash u drejtuan për në shtëpinë e tij, u është lëshuar një qen pitbull për t’i trembur. Sipas burimeve, policia bëri apel me zë të lartë që familja ta lidhte qenin dhe pasi ata u vonuan mjaftueshëm, agjentët mendojnë se qeni u lëshua për të vonuar grupin derisa të asgjësoheshin sendet e dyshimta.
Si nisi ngjarja?
Njëri nga oficerët e Antidrogës pjesëmarrës në aksion, tregon: “Ne morën njoftim se në rrugën “Xhanfize Keko” një person po shpërndante drogë”. Shitja sipas informatorit kryhej pranë IKV. Në distancë grupi i agjentëve vërejti lëvizjet e dyshimta të një të riu, që qarkullonte në rrugë në afërsi të një furre buke”. “Në raport shërbimi shkruhet se “menjëherë grupi lëvizi dhe u drejtua tek qytetari, por i riu kur e pa policinë, u ul në një tavolinë në lokal”. Burimet tregojnë se të riut i është kërkuar karta i identitetit sipas të cilës është identifikuar si shtetasi K.A. “Nga kontrolli në trupin e tij në rripin e mesit u gjetën dy materiale të mbështjella me letër alumini, brenda të cilave kishte kanabis. Në momentin kur policia procedoi duke i vendosur prangat, i dyshuari u anua pranë një tjetër personi të ri dhe i tha: “njofto të shtëpisë sime”. Nga hetimet e mëpasshme u kuptua se i riu tjetër quhet F.A., kushëri i parë i të dyshuarit si shpërndarës.
Policia shkon në shtëpi
Bëhet me dije se për të parandaluar shpërndarjen e informacionit dhe nga dyshimet se në banesën e të riut gjendej drogë, policia i vendosi prangat edhe kushëririt. Së bashku me dy të rinjtë në makinë, efektivët i kanë pyetur se ku e kanë shtëpinë “pasi do të kryhej kontroll banese”. Shtetasi K.A. si fillim i ka sorollatur policët duke thënë “… e kam tek rruga këtu” dhe më pas “… jo, jo, e kam tek kjo rruga tjetër”. Burimet sqarojnë se në fund i dyshuari është dorëzuar dhe ka treguar si adresë shtëpinë e gjyshes. “Ne shkuam në rrugën “Kastriot Gjini”, trokitëm në shtëpinë e gjyshes së shtetasit K.A. dhe në derë doli një zonjë e moshuar. Ajo tha se nipi i saj nuk banonte në atë shtëpi, ndërkohë që i shoqëruari këmbëngulte se jetonte aty. Pas disa minutash ka qenë gjyshja që na tha “nipi im banon në derën tjetër”. Kur trokitëm në shtëpinë tjetër, prej aty doli një zonjë, ajo filloi të bërtasë dhe të bëjë veprime stimuluese sikur po përpiqej të fitonte kohë dhe të njoftonte të tjerë. Prej aty dolën të gjithë”, evidendon oficeri për ngjarjen e sikletshme dhe plot nerva të familjarëve, që nuk ishte asgjë para tërbimit të qenit. “Tentuam të hyjmë në banesë, por aty pamë një qen që u lëshua në oborr i rracës pitbull. I kërkuam zonjës së shtëpisë që ta lidhte qenin. Por ajo u përgjigj “nuk e lidh dot”, rrëfejnë oficerët e policisë. Siç sqarojnë burimet, mes të lehurave të qenit dhe të sharave të banorëve, më në fund, të afërmit e të dyshuarit u bindën dhe e lidhën qenin pitbull. Por sidoqoftë, policët përshkruajnë “se patën që në fillim dyshime se vonesa për të mos e lidhur qenin ndodhi për të pastruar shtëpinë nga ndonjë send i kundërligjshëm”. Sherri mes të shoqëruarit që dyshohet për kundërshtim të policisë, mosbindje dhe shpërndarje droge ka vijuar sipas burimeve edhe në drejtorinë vendore, kur policët janë paralajmëruar “e keni personale me mua, do jeni në gjak me mua”.
A ka dalë situata jashtë kontrollit?
Ekspertizat e përditshme tregojnë se nga shoqërimet e shumta të atyre që konstatohen me lëndë narkotike, që të gjithë rezultojnë më pas përdorues droge. Me këtë të dhënë nga janari deri në gusht vetëm për drejtorinë vendore Tiranë janë shoqëruar si përdorues hashashi 400 të rinj, pohoi një burim. Këta përdorues më pas janë lënë të lirë.
Tre justifikime në një ditë
Shtetasi R.O. u kap në në rrugën “Llazi Miho” me 1,2 gramë lëndë narkotike. Ai menjëherë iu përgjigj oricerëve se e mbante për përdorim vetjak dhe se është përdorues prej 15 vitesh. “Hashashin ma fali një djalë që nuk e njoh tek Qyteti i Nxënësve. E pashë që po pinte dhe i thashë “o çuni a mund t’i jap nja dy pompa”. Ai më fali këtë sasi të vogël”, mësohet se ka deklaruar i riu i cili nuk u dha asnjë ndihmë agjentëve se ku e bleu lëndën narkotike.
Në të njëjtën ditë një tjetër i ri, shtetasi J.M., u evidentua me doza droge nga forcat e posaçme të policisë. Ai edhe u justifikua: “E kam për përdorim vetjak. Nuk e mbaj mend se ku e gjeta”. Harresa e përdoruesve të hashashit ngjan e njëjtë kudo në Tiranë
Edhe shtetasi R.K. u zbulua me 1.8 gramë kanabis dhe pasi u pyet, pretendon se jo vetëm është përdorues i vjetër, por kësaj radhe hashashin ia kishte shitur një fëmijë dhjetë vjeç në rrugë. “Ai më tha “a do?” I dhashë 1 mijë lekë dhe iku”, pohoi i riu, analizat ndaj të cilit konfirmuan se ai ishte përdorues./SI