Detaje të reja dalin në dritë sa i përket arrestimit të 2 IT nga prokuroria për publikimin e databazës me të dhënat e pagave të qytetarëve. Sipas Klan News, pas shoqërimeve në polici, Andi Agaraj i kërkoi Eni Qirjakos që të rifomatonte kompjuterin për të humbur gjurmët, por ajo nuk pranoi.

Madje ishte ajo që tregoi të gjithë skemën tek autoritetet, duke u kthyer në bashkëpunëtore të drejtësisë.

Këtë të hënë u bë publik fakti se në bazë të një vendimi të gjykatësit Artan Gjermeni të marrë të shtunën, Eni Qirjako, eksperte e IT në Drejtorinë e Tatimeve do të qëndrojë në masën detyrim paraqitje.

Për 3 të arrestuarit e tjerë, ekspertin e IT te Tatimet, Andi Agaraj dhe dy përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi është dhënë masa e arrestit në shtëpi. Organi i akuzës kërkoi masën “detyrim paraqitje” dhe “pezullim të ushtrimit të detyrës” për eksperten e IT, Eni Qirjako gjë që u pranua nga Gjykata.

Për 3 të tjerët akuza kërkoi masën arrest me burg, por gjykata i la në arrest shtëpie. Këta persona u arrestuan në 7 janar të akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion”.

Sipas Prokurorisë, Eni Qirjako punonjëse specialist IT pranë AKSHI-t përgjegjëse për të dhënat e sektorit të Tatimeve, i ka kaluar në 6 raste kolegut të saj Andi Agaraj, të gjitha të dhënat e pagave për të cilat ajo kishte akses në server.

Agaraj ia ka shitur të dhënat për 20 mijë lekë shtetasit Klodian Sota, ndërsa ky i fundit i ka shitur këtë material Endri Ikonomit për 30 mijë lekë.