SPAK hedh poshtë pretendimet e gazetarit Artan Hoxha se presidenti Ilir Meta ka urdhëruar një vrasje.

Gazetari Artan Hoxha tha në një emision televiziv se Dumani kishte përmendur emrin e Presidentit Ilir Meta si porositës të vrasjes së vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka në qytetin e Lezhës në vitin 2017.

Por, SPAK në një reagim zyrtar nënvizon se Dumani “nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

Në njoftimin e SPAK thuhet se mediat duhet të jenë të kujdesshme për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje, (arrestimit të Dumanit), e cila është ende në fazë hetimi.

“Në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim Nuredin Dumani për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se::

Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim Nuredin Dumani, nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit Nuredin Dumani në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit)”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Posaçme.